"Johnson & Johnson" gjobitet me 572 milionë dollarë për nxitjen e varësisë nga opioidet

"Johnson & Johnson" gjobitet me 572 milionë dollarë për nxitjen e varësisë nga opioidet

Kompania e prodhimit të ilaçeve “Johnson & Johnson” duhet të paguajë 572 milionë dollarë për nxitjen e krizës të varësisë nga opioidi në Oklahoma.

Kjo është çështja e parë që shkon në gjyq, ndër mijëra padi të tjera të ngritura kundër prodhuesve dhe shpërndarësve të opioideve*.

Sipas Qendrave Amerikane për Kontrollin dhe Parandalimin e Sëmundjeve, opioidët janë të lidhur me pothuajse 400 000 vdekje të shkaktuara nga mbidoza në SHBA që nga viti 1999 e deri më 2017.

Që nga viti 2000, vetëm në Oklahoma, kanë vdekur rreth 6000 njerëz nga mbidoza e opioideve, deklaruan avokatët e shtetit.

Ata argumentuan se “Johnson & Johnson”, përgjatë një viti të tërë, ka kryer një fushatë reklamuese, përmes së cilës janë minimizuar rreziqet e varësisë ndaj qetësuesve dhe janë promovuar vetëm përfitimet. Një mënyrë reklamimi kjo, që krijoi telashe publike, duke qenë se mjekët e rekomanduan më tepër se duhet, çka çoi në rritjen e vdekjeve nga mbidoza në Oklahoma.

"Këto veprime rrezikuan shëndetin dhe sigurinë e mijëra njerëzve në Oklahoma. Kriza e opioidëve është një rrezik dhe kërcënim i menjëhershëm për njerëzit e Oklahomas", tha në aktvendimin e tij gjykatësi Thad Balkman.

Ai theksoi se pagesa do të përdoret për kujdesin dhe trajtimin e të varurve nga opioidët.

Gjithsej, janë ngritur 200 padi vetëm për këtë çështje.

Kompania reagoi menjëherë pas gjykimit duke thënë se do të apelonte vendimin.

“Johnson & Johnson” mohojnë  gjithçka, duke argumentuar se pretendimet e reklamimit kishin mbështetje shkencore dhe se qetësuesit “Duragesic” dhe “Nucynta”, përbënin një pjesë të vogël të opioideve të përshkruara në Oklahoma.

Sipas kompanisë, prokurorët u mbështetën në një interpretim "radikal" të ligjit. Që nga viti 2008, qetësuesit e saj kishin llogaritur më pak se 1% të tregut amerikan.

"Vendimi në këtë rast është i gabuar. Shteti dështoi të paraqesë prova që produktet ose veprimet e kompanisë shkaktuan shqetësim publik në Oklahoma. Ky gjykim është një keqpërdorim i ligjit dhe tashmë është refuzuar nga gjykatësit në shtetet e tjera", tha ajo.

Sabrina Strong, avokatja që përfaqëson “Johnson & Johnson”, tha: "Ne solidarizohemi me të gjithë ata që vuajnë nga abuzimi me substancat, por “Johnson & Johnson” nuk e ka shkaktuar krizën e abuzimit të opioideve këtu në Oklahoma, ose kudo tjetër. Ne kemi arsye të forta për apelim dhe kemi ndërmend t'i ndjekim ato me forcë."

Kompania kërkoi që gjoba të vihet në pritje gjatë procesit të apelit, e cila mund të zgjasë deri në vitin 2021.

Çështja e Oklahomas u ngrit nga Prokurori i Përgjithshëm i Shtetit, Mike Hunter, i cili tha se kompania "Johnson & Johnson” më në fund do të quhet përgjegjëse për mijëra vdekje dhe varësi të shkaktuara nga veprimet e saj".

"Nuk kam asnjë dyshim që kompania e dinte se çfarë po ndodhte, në nivelin më të lartë, por thjesht nuk mund të hiqte dorë së bëri para dhe kjo është arsyeja pse ajo është përgjegjëse."

Avokati i shtetit të Oklahoma, Reggie Whitten, u tha gazetarëve amerikanë: "Kjo është shumë personale për të gjithë ne. Partneri im humbi mbesën nga kjo epidemi opioide dhe unë e humba djalin tim".

Pas vendimit, aksionet e kompanisë u rritën, sepse investitorët prisnin një gjobë shumë më të madhe, gjer në 2 miliardë.

Sipas një vlerësimi, kriza ka kushtuar më shumë se 500 miliardë dollarë: kujdes shëndetësor, trajtim varësie, paga të humbura dhe shpenzime të tjera.

Kjo nuk është hera e parë që kjo kompani përballet me akuza për produktet e saj. 22 gra kanë ngritur padi ndër vite ndaj "Johnson & Johnson”, sepse përdorimi i pudrës së saj u ka shkaktuar kancer të vezoreve për shkak të përmbajtjes së asbestit në të. Akuza ka dhe për produkte të tjera. /BBC, NBC/

*Opioidet bëjnë pjesë në ilaçet që bllokojnë sinjalet e dhimbjes midis trupit dhe trurit. Në ta përfshihen qetësues me recetë si "Vicodin" dhe "OxyContin", si dhe ilaçe të paligjshme si heroinë etj. Deri në dekadat e fundit, ato jepeshin me recetë kryesisht për dhimbjet e pacientëve me kancer, në fund të jetës së tyre ose për dhimbje akute, të tilla si ato pas operacionit.

MCN Radio logo
MCN Radio
103.1 FM
Drupal Ad
Drupal Ad
MCN Radio logo
MCN Radio
103.1 FM
Radio
Intro

MCN TV është një televizion gjeneralist, i cili përfshin emisione, seriale, filma, dokumentarë etj. Ky televizion ka në dispozicion të tij katër studio televizive të pajisura me teknologjinë bashkëkohore.

Kategoritë
Streaming

MCN TV

MCN Radio

Contact

info@mcn.tv.al

+355 422 00200

All rights reserved. MCN 2025

Terms and ConditionsPrivacy Policy