
Gjykata e Posaçme e Apelit për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar ka shpallur vendimin pas ankimimit të të pandehurve të dosjes ‘5D’, duke vendosur pezullimin e ekzekutimit të dënimeve me burg dhe lënien e tyre në Shërbim Prove.
Gazetarja Klodiana Lala, e ftuar në emisionin "Të Paekspozuarit" në MCN TV, tha se dënimet ndaj zyrtarëve, të cilët nuk bënë asnjë ditë burg, janë "qesharake".
Që kur u zbut masa e Redi Mollës dhe kaloi në heshtje, filloi shfryrja tërësore e dosjes 5D.
Pastaj për Taulant Tushën, u dërgua në arrest shtëpie. Nuk pati reagim publik. Ende nuk ka vendim të arsyetuar pse janë këta në arrest shtëpie, edhe pse kanë akuza të rënda.
Për Mollën ka vepra penale që dënohet deri në 15 vite burgim, mbahet në arrest shtëpie.
Apeli i Posaçëm cilësoi fajtore Eglantina Zere dhe disa të tjerë, për shkelje të barazisë në tendera. Zere ka qenë drejtuese e Tirana Parking dhe sipas prokurorisë favorizonte me tendera kompaninë Vas Konstruksion, pastaj e njohur si 5D.
Shkalla e parë e kishte dënuar atë dhe të tjerët, 6-9 muaj burg. Ishin qesharake por me burg. Apeli sot, e hoqi dënimin me burgim dhe i dërgoi në shërbim prove për 12 muaj. Pra ndërkohë që janë zhvatur miliona euro, zyrtarët nuk kanë shkuar asnjë ditë në burg. Do të mbajnë kontakte me shërbimin e provës, dënim qesharak në raport me aferën që ka ndodhur. Është shfryrje totale e aferës 5D. Duhet të kishte edhe hetime pasurore për zyrtarët.



