
Ministri i Brendshëm, Bledi Çuçi ka paralajmëruar ndëshkime të forta ndaj ndërtimeve pa leje, nisur nga investitori deri tek punonjësit e kantiereve, oficerët e policisë dhe inspektorët e IKMT-së. sipas Çuçit, ndëshkimet do të jenë për të gjithë ata që janë mbyllur sytë teksa bëhej një ndërtim pa leje.
Në një status të bërë në rrjetet sociale, Çuçi thotë se pas ndërtimeve në bregdet, e kanë radhën zonat e mbrojtura dhe akset kombëtare.
“Javën e ardhshme do të nisim fillimisht me shembjen e ndërtimeve pa leje në vijën bregdetare nga Velipoja deri në Ksamil, për të çliruar çdo hapësirë të zaptuar dhe për të vënë para përgjegjësisë shkelësit e ligjit.
Më tej është radha e atyre që kanë ndërhyrë në zonat e mbrojtura dhe akset kombëtare. Policia e Shtetit dhe IKMT kanë bërë bërë evidentimin e ndërtimeve dhe çdo strukture tjetër të ngritur pa leje në të gjithë territorin e vendit.
Ndryshe nga herët e kaluara, kësaj radhe pas ndryshimit të Kodit Penal, masat ndëshkuese janë ashpërsuar dhe prekin të gjithë zinxhirin e ndërtimit nga investitori deri tek punonjësit e kantiereve apo edhe oficerët e policisë e inspektorët e IKMT-së që mund të kenë mbyllur sytë teksa ndërtohej pa leje. S’ka kohë për pushim”, shkruan Çuçi.



