
Më shumë se gjashtë muaj pas rasteve të para, mjekët tanimë e njohin më mirë Covid-19. Por në prag të gripit sezonal, ekziston mundësia e ngatërrimit të simptomave. Sipas mjekut Kita Sallabanda, kjo mund të shmanget me vaksinimin e disa kategorive.
Në një intervistë në TvT, mjeku Kita Sallabanda tha se kjo u jep mundësinë mjekëve të bëjnë diagnozën diferenciale.
“Nuk duhet të ngatërrohet gripi sezonal me Covid. Është e rëndësishme të kemi vaksinim masiv. Mjekët janë në gjendje të bëjnë diagnozën diferenciale. Nëse mjekët vaksinohen, nuk do të ketë komplikime. Në Shqipëri, qeveria po merr të gjitha masat”, tha ai.
Sipas Sallabandës, duhet të dëgjohet më shumë mendimi i specialistëve, pasi njerëzit nuk janë ndërgjegjësuar ende. “Ata duhet të dalin mbi politikën. Në Shqipëri ka një problem të madh, është ndërgjegjësimi. Njerëzit nuk janë ende të ndërgjegjësuar sa duhet”, tha ai.
Sa i takon vaksinës, Sallabanda parashikon që nuk mund të ketë një të tillë të sigurt para marsit të vitit 2021.
“Kemi shpresa, por nuk kemi për ta pasur vaksinën para marsi 2021. Në Oksford kemi rastin e dytë të efektit anësor të vaksinës”, tha ai.
Efektivitetin e deritanishëm të strategjisë së ndjekur nga Suedia, Sallabanda e sheh të favorizuar nga shtrirja gjeorgrafike në raport me numrin e popullsisë, gjë që ka krijuar njëfarë distancimi të natyrshëm social.
“Stokholmi ka rreth 800 mijë banorë, sa Tirana. Stokholmi është i madh, dendësia është e vogël. Distancimi fizik atje është natyral. Mënyra e të jetuarit ndryshon nga mënyra kolektive siç jetojmë ne në Mesdhe. Unë kështu e shpjegoj”, tha ai.



