Akademiku Rexhep Qosja thotë se e ka mbështetur kryeministrin Rama, sepse ka nisur ta reformojë Shqipërinë, që e gjeti në një stad mes autarkisë dhe anarkisë. Në një intervistë për “Dritare me Rudinën”, Qosja thotë se janë 3 gjërat që nuk pëlqen te Rama.
“Mendoj se Edi Rama, është një politikan, shtetar dhe intelektual njëkohësisht. Ai për mua, është i rëndësishëm në radhë të parë sepse ka filluar ta reformojë Shqipërinë, ta bëjë një shtet bashkëkohor dhe ta evropianizojë. Shqipëria ishte si ishte, mes një autarkie dhe një anarkie. Edi Rama dëshiron ta reformojë Shqipërinë, ta modernizojë dhe kjo nuk është pak, por është shumë e rëndësishme për Shqipërinë dhe Kosovën. Megjithatë, me gjithë këtë përkrahje që unë i kam dhënë dhe i jap Edi Ramës në përpjekjet e tij për reformimin e përgjithshëm të Shqipërisë, nuk do doja t’i shihja disa veprime dhe mendime të Edi Ramës. Do të doja ta shihja më pak në televizion. Televizioni për një farë kohë i afirmon njerëzit, por televizioni edhe mund t’i dëmtojë, mund t’I shkatërrojë njerëzit në qoftë se e teprojnë. Pra do masë dhe masa është formuluar në Greqinë antike prej Platonit e Aristotelit, masa është përbërës i veprës shkencore, i veprës artistike, i etikës, i sjelljes së njerëzve, i organizimit të tyre politik, shtetëror. Do të doja që Edi Rama ta ketë këtë masë në paraqitjet e tij publike dhe të mos paraqitet në vendet e të gjithë ministrave të tij. E treta, nuk do të doja që Kryeministri i Shqipërisë të futej në çështje fetare, Shqipëria dhe Kosova janë shtete laike, feja është e ndarë prej shtetit, politikanët nuk duhet të merren me çështje fetare. Është ligji, është Kushtetuta, çështjet edhe për fenë të cilat janë të rregulluara me ligj”, thotë ai.
Ndërsa lidhur me aleancën PS-LSI-, Qosja nuk i kursen kritikat ndaj aleatit të vogël dhe kryetarit të saj.
“Aleanca shtetërore mes dy, tri partive nuk është parti. Në një parti mund të ketë mendime të ndryshme, por jo kur ke koalicion mes dy partive u shpreh Qosja. Lëvizja Socialiste për Integrim rri në dy karrige, nuk kam shumë mirëkuptim as për individët, as për intelektualët, as për politikanët, por as për partitë politike që rrinë në dy karrige. Përvoja historike ka dëshmuar se ata që rrinë në dy karrige, shpesh përfundojmë mes tyre. Përfundojnë poshtë, mes dy karrigeve. Ilir Meta lë përshtypjen e një politikani të zgjuar, të shkathët, por shkathtësia, zgjuarsia, përvoja politike, gjithmonë tregohet më e suksesshme, më e dobishme , nëse ka edhe një bazë të qëndrueshme etike. Nuk jam i sigurt se LSI e ka atë bazë të qëndrueshme përderisa aq lehtë mund të qëndrojë në dy karrige”, tha Qosja.



