Ish-kreu i KQZ Kristaq Kume tha në edicionin e lajmeve në MCN TV se nuk e kupton nxitimin e kreut të shtetit Begaj për të dekretuar datën e zgjedhjeve për Bashkinë Himarë, ndërkohë që nuk ka një vendim përfundimtar nga KQZ.
Kume vuri në dukje se nëse çështja ankimohet në KAS nga Beleri, dhe nëse KAS e rrëzon vendimin e KQZ, atëherë vendimi i Presidentit bëhet nul.

I pyetur mbi vendimin e Celibashit për t’i hequr mandatin Belerit, Kume tha:
"Sikurse tha edhe z.Celibashi vendimmarrja për këtë çështje u përball me një shprehje jo të qartë në ligjin përkatës për dekriminalizimin, sepse në mënyrë literale, të shprehur, nuk trajtohet një rast i tillë në ligj, por ajo që z.Celibashi bëri, dhe unë e gjej me vend vendimin e tij dhe mënyrën si e arsyetoi, mbështetet në faktin se fryma e ligjit, qëlllimi pse e kemi miratuar dhe e kemi bërë pjesë të legjislacionit tonë, ligjin për dekriminalizimin, në analizë të fundit ka pikërisht këtë gjë, të mos lejojë që instancat zgjedhore të drejtohen nga persona me rekorde, që parashikohen si vepra penale, të dënuara. Thënë kjo, unë e shoh vendimin e KQZ në përputhje me frymën dhe me atë që ne kemi synuar si shoqëri që të realizojmë nëpërmjet ligjit të dekriminalizimit”.
I pyetur mbi dekretin e Presidentit Begaj për datën e zgjedhjeve, fill pas vendimit të KQZ, Kume tha:
"Këtë nuk arrij ta kuptoj dot përse ndodh kështu. Në vendimin e KQZ është shkruajtur se i njihet e drejta e ankimimit në KAS, e cila mund të realizohet nga z.Beleri ose përfaqësuesit ligjor të tij brenda një periudhe u shpreh z.Celibashi 12 ditë. Vendimi i marrë nga Celibashi, që akoma s’është botuar në fletoren zyrtare, nuk mund të jetë i ekzekutueshëm, në kuptimin që të sjellë si pasojë nga presidenti dekretimin e datës së zgjedhjeve për Bashkinë e Himarës. S’e kuptoj këtë nxitim. Duke ditur që Himara është në pikun e aktivitetit ekonomik, turizmin, të konsumohej kjo periudha 30 ditë kohë nga KAS-i, dhe më pas të shkohej në Kolegji Zgjedhor, dhe data e zgjedhjeve mund të dekretohej në shtator, atëherë kur edhe sezoni turistik të kishte mbaruar, që qytetarët e Himarës të mos mbingarkoheshin me një proces që i bie ndesh aktivitetit të tyre të përditshëm. Nuk arrij ta kuptoj këtë nxitim dhe që s’merr parasysh atë që është e parashikuar në ligj. Po nëse KAS e hedh poshtë vendimin e Celibashit, çfarë do bëhet me dekretin e Presidentit?! Nuk e di kush e ka këshilluar Presidentin. Puna s’ka përfunduar te KQZ. KQZ s’është shprehur akoma për rastin Beleri në mënyrë përfundimtare. Duhet të shprehet edhe KAS-i. Pas KAS-it mund të kalohet edhe në Kolegjin Zgjedhor, dhe atëherë është vendimi përfundimtar. Atëherë pas 48 orësh duhet të shpallej data e zgjedhjeve, por jo kështu. Për sa kohë që KQZ s’e ka përfunduar procedurën, s’është komisioneri KQZ, është vetëm një komponent”.
I pyetur se çfarë do të ndodhë nëse KAS do ta rrëzojë vendimin e KQZ-së, Kume tha:
"Bëhet nul vendimi për dekretimin e datës së zgjedhjeve, sepse s’ka vakancë. Për sa kohë që Presidentit s’i ka shkuar një vendim përfundimtar nga KQZ, nuk ka përse Presidenti të dekretonte një datë të re zgjedhjesh”.



