Qeveria shqiptare po ndërmerr hapat për transferimin e ishullit të Sazanit nga administrimi i Ministrisë së Mbrojtjes te Ministria e Ekonomisë, në kuadër të zhvillimit të projektit strategjik “Resorti Turistik- Ishulli i Sazanit”, një investim i lidhur me kompaninë Atlantic Incubation Partners LLC, e cila ka marrë statusin e Investitorit Strategjik dhe lidhet me biznesmenin amerikan Jared Kushner.
Sipas një projektvendimi të Këshillit të Ministrave, të siguruar nga BIRN, pasuritë shtetërore në ishull parashikohet të kalojnë në Fondin e Pasurive të Paluajtshme për Mbështetjen e Investimeve Strategjike, duke kaluar kështu nga administrimi i Ministrisë së Mbrojtjes nën administrimin e Ministrisë së Ekonomisë.
Dokumenti i propozuar nga ministrja e Ekonomisë, Delina Ibrahimaj, përcakton se transferimi i pronave shtetërore në zonën kadastrale 3269 të Bashkisë Vlorë bëhet për “zhvillimin dhe realizimin e projektit për investim strategjik ‘Resorti Turistik – Ishulli i Sazanit’”.
Ky konsiderohet një nga hapat më të rëndësishëm institucionalë për avancimin e projektit turistik që synon të transformojë ishullin në një destinacion luksoz në Mesdhe.
Sipas projektvendimit, në dispozicion të projektit do të vihet një sipërfaqe prej më shumë se 5.5 milionë metrash katrorë tokë dhe mijëra metra katrorë ndërtesa ekzistuese.
Konkretisht, transferimi përfshin pasurinë nr. 206/7 me sipërfaqe 5,255,215 metra katrorë dhe ndërtesa me sipërfaqe 31,005 metra katrorë; pasurinë nr. 208 me sipërfaqe 254,178 metra katrorë dhe ndërtesa me sipërfaqe 5,344 metra katrorë; si dhe pasurinë nr. 207 me sipërfaqe 9,386 metra katrorë dhe ndërtesa me sipërfaqe 412 metra katrorë.
Sipërfaqja e përfshirë në projekt përfaqëson më shumë se 90% të territorit të ishullit të Sazanit, duke e bërë këtë një nga projektet më të mëdha turistike të planifikuara ndonjëherë në Shqipëri.
Pas publikimit të dokumentit, qeveria shqiptare reagoi duke sqaruar se projektvendimi është hedhur për mendim dhe nuk përbën ende një vendim të miratuar përfundimisht.
Zyra e Kryeministrit theksoi se nuk bëhet fjalë për privatizim të ishullit, por për një procedurë administrative që synon kalimin e territorit nga statusi ushtarak në një zonë zhvillimi ekonomik.
Sipas qeverisë, transferimi i pronës te Ministria e Ekonomisë është i nevojshëm për të konsoliduar juridikisht territorin dhe për të vijuar negociatat me investitorin strategjik, duke garantuar njëkohësisht interesat e shtetit shqiptar në projekt.
Investimi i planifikuar në Sazan arrin në rreth 1.4 miliardë euro dhe parashikon ndërtimin e një kompleksi turistik me standarde ndërkombëtare, marina, struktura akomoduese dhe infrastrukturë mbështetëse.
Projekti vijon të shoqërohet me debate dhe protesta për shkak të rëndësisë mjedisore të zonës. Ishulli i Sazanit është pjesë e Parkut Kombëtar Sazan-Karaburun, i vetmi park kombëtar detar dhe tokësor në Shqipëri, i njohur për biodiversitetin e pasur dhe praninë e dhjetëra specieve të mbrojtura me rëndësi kombëtare dhe ndërkombëtare.
Diskutimet për projektin në Sazan janë intensifikuar edhe për shkak të polemikave që kanë shoqëruar një tjetër investim turistik të lidhur me familjen Trump në zonën e mbrojtur të Nartës.
Kritikët argumentojnë se zhvillime të tilla mund të cenojnë ekosistemet natyrore, ndërsa qeveria këmbëngul se projektet do të realizohen duke respektuar standardet mjedisore dhe duke sjellë zhvillim ekonomik, investime të huaja dhe rritje të turizmit elitar në vend.
Me procedurat e reja të transferimit të pronës shtetërore, projekti i Sazanit hyn në një fazë të re, ku qeveria synon të krijojë bazën ligjore dhe administrative për një nga investimet më të mëdha turistike të planifikuara në Shqipëri gjatë dekadës së fundit.



