Anëtari i Kryesisë së PD-së Belind Këlliçi dhe gazetari Carlo Bolino, pronar i “Report TV”, janë paraqitur sot në Gjykatën Penale.
Këlliçi dhe Bolino kanë mohuar pajtimin në lidhje me padinë e bërë nga pronari i "Report TV" në drejtim të përfaqësuesit të PD-së.
Këlliçi e ka akuzuar Bolinon për tjetërsim prone, nëpërmjet favorizimeve nga qeveria dhe Bashkia e Tiranës, akuza që janë mohuar nga pronari i "Report TV".
Këlliçi ishte i shoqëruar nga avokatja Adriana Kalaja.
Në një raportim për MCN Live për seancën gazetari Arsen Rusta bën me dije:
“Historia lind me akuzat që PD dhe vet z.Këlliçi ka bërë si funksionar i opozitës se është tjetërsuar toka nëpërmjet favorizimeve që qeveria dhe bashkia, duke ia dhuruar pronarit të Report TV . Nga ana tjetër z.Bolino e mohon ketë gjë duke thënë se ka respektuar ligjet duke bërë një marrëdhënie juridike me shtetin shqiptar, për një qiramarrje të shtrirë në kohë, duke respektuar pagesat. Këlliçi thotë që kjo ishte tokë e familjes Begeja, që do t’i falej qytetit për të ndërtuar një shkollë. Padia është iniciuar nga z.Bolino që ka paditur për shpifje z.Këlliçi”.
Në një prononcim për MCN TV, Këlliçi tha: "I bëj të qartë Bolinos se nuk pajtohem unë me të, të gjitha akuzat e PD në SPAK dhe akuzat publike për të, ai dhe hajdutet e ngjashëm me të, do përballen para ligjit. Tashmë është dhe një gjykatë tjetër penale, që do të njihet me të gjitha provat e 4400 m2 katrorë për të bërë një televizion që shan e linçon PD dhe përfaqësuesit e opozitës çdo ditë".
Seanca e radhës në lidhje me këtë çështje do të mbahet më 11 shkurt në orën 09:00.



