Kina ka raportuar një numër të vogël rastesh të reja me koronavirus, pasi Pekini mori masa për parandalimin e të prekurve që vijnë nga jashtë.
Komisioni Kombëtar i Shëndetit deklaroi 39 raste të reja të dielën, nga 46 të infektuar që ishin shënuar një ditë më parë.
Të gjithë personat e infektuar me Covid-19 vinin nga jashtë, shumica e tyre, janë studentë kinezë që kthehen në shtëpi.
Pekini i zgjeroi masat për të përmirësuar situatën nga të infektuarit që kthehen nga jashtë, duke devijuar nga e hëna të gjitha fluturimet ndërkombëtare jashtë qytetit, në aeroportet e tjera të vendit.
Pasagjerët që do ulen në aeroportet kineze do t’i nënshtrohen një kontrolli të rreptë për parandalimin e virusit Covid-19.
Pekini raportoi të hënën 10 raste të reja me koronavirus që kishin ardhur nga jashtë, nga 13 raste që u shënuan një ditë më parë.
Gjithashtu, Shanghai dhe Guangzhou kanë deklaruar se të gjithë pasagjerët që vijnë nga jashtë, do t’i nënshtrohen testeve për të kontrolluar koronavirusin, duke aplikuar një program që më parë zbatohej vetëm për ata që vinin nga vende shumë të prekura.
Shanghai, raportoi të dielën 10 raste të reja nga 14 raste që u shënuan një ditë më parë.
Provinca Guangdong deklaroi 7 raste të reja me koronavirus, por që vinin nga jashtë vendit. Në Fujian u shfaqën katër raste, ndërsa në Jiangsu vetëm dy.
Kurse, Hebei, Zhejiang, Jiangxi, Shangdong dhe Sichuan deklaruan nga një rast, duke e çuar deri në tani numrin e përgjithshëm të rasteve të reja të importuara në Kinë në 314 të infektuar.
Kina nuk deklaroi asnjë infeksion të ri të transmetuar në vend.
Uhani, kryeqendra e provincës qendrore të Hubeit, për të pestën ditë radhazi s’ka raportuar asnjë të infektuar me Covid-19, ndërsa njoftohet se autoritetet i kanë lehtësuar masat e ashpra të bllokimit.
Kina ka raportuar 81,093 të infektuar dhe 3,270 persona që kanë humbur jetën si pasojë e Covid-19./Reuters/



