
Eksperti i energjisë Azmir Duleviç duke folur në edicionin e lajmeve në MCN TV tha se KESH po e shmang bursën e energjisë Alpex për t’i shpëtuar transparencës të kompanive dhe çmimeve.
Duleviç tha se ka hije dyshimi për një aferë korruptive. Sipas ekspertit të energjisë në ditët në vijim do jepet një justifikim për të vënë në punë TEC-et lundruese.
Pyetjes, përse KESH-i e ka shpërfillur bursën energjetike?, Duleviç iu përgjigj:
Në 11 prill ka filluar funksionimin bursa Alpex. Por ne jemi sot në situatën kur kemi mbiprodhim energjie, por KESH-i nuk tregton në bursën Alpex. E para kemi një shkelje ligji, pasi nëse transaksionet nuk kryen përmes bursës shqiptare çfarë kuptimi ka që u krijua bursa. KESH-i nga transaksioni i disa ditëve më parë i ka shkaktuar një dëm Korporatës Energjetike Shqiptare 1,3 milionë euro minimumi, nëse do ishte tregtuar në Alpex do ishin fituar 1,3 milionë euro më tepër të ardhura. Justifikimi absurd nga drejtuesit dhe KESH është se ne dalim në kontraktim direkt, sepse kemi frikë se në bursë s’na i ble njeri energjinë. Jemi në një situatë që ose KESH duhet të mbajë përgjegjësi ose bursa duhet të shkrihet. Mendoj që KESH e shmang sepse bursa ka funksion kryesor transparencën, kush janë kompanitë dhe çmimet. Nuk devijon dot me çmimet kur kryhen transkasionet përmes bursës. Janë mekanizma për t’i shpëtuar monitorimit dhe transparencës nga bursa Alpex. Askush s’jep shpjegim dhe s’mban përgjegjësi për këtë situatë. Këto janë 1,3 milionë euro të munguara. Mund të shitet akoma në ditët në vijim që të shitet energji jashtë burse dhe është e papranueshme kjo situatë”.
Lidhur me bashkimin e 4 kompanive private në bursë, Duleviç tha se ato e liberalizojnë tregun, por në momentin që KESH s’tregton përmes bursës ato janë thjesht sa për numër.
Nëpërmjet kompanive private liberalizohet tregu, transaksionet janë më transparente dhe me çmim referencë sa i përket bursave europiane. Kompanitë private do ndihmojnë sektorin. Por në momentin që kur KESH s’e tregton energjinë nëpërmjet bursës, kompanitë private janë sa për numër. Sa i përket kompanive private është e drejta e tyre të shesin jashtë burse, kurse KESH e ka prioritet të shesë brenda bursës. Ka ardhur dita që drejtuesit e këtyre institucioneve të mbajnë përgjegjësi për deklaratat apo veprimet e tyre”.
Lidhur me mosreagimin e opozitës për këtë çështje, eksperti i energjisë thotë:
Pothuajse çdo javë ka skandale për abuzimet nga KESH dhe jo vetëm, por opozita ka qenë shumë e vakët ose inekzistente për këtë çështje. Ose s’kanë njerëzit e duhur për këto denoncime që mund të kryejnë, ose munde të jenë pjesë e gjithë kësaj skeme dhe nuk reagojnë. Kur ka reagim politik institucionet ose qeveria reagojnë”.
Ndër të tjera ai thotë se panelet fotovoltaike kanë prodhuar vetëm 0,7 për qind të energjisë elektrike.
Lidhur me raportin e KLSH, Duleviç shton:
"KLSH ka nxjerrë raportin dhe thuhet e zeza mbi të bardhë kemi keqmenaxhim. Thuhet që energjia është blerë shumë shtrenjtë ose në fasha orari kur çmimi ka qenë më i lartë. Në total kemi 503 milionë euro të munguara. Nëse do ishte blerë kur çmimi ishte më i ulët, kjo shifër do ishte më e ulët”.
Sa i takon pritshmërive për verën eksperti thotë se nuk priten kufizime.
Nuk do ketë kufizime, është mëse e sigurt. Në vendin tonë kemi të njëjtën situatë që ne prodhojmë 50-60 për qind të konsumit ditor dhe mujor. Në verë ka konsum më të madh dhe ne detyrohemi të dalim ta blejmë energjinë, me një çmim më të lartë. Do ta dëgjoni në ditët në vijim justifikimin pse do vihen në punë TEC-et lundruese, që do ndotin ambientin dhe të mos llogarisim faturën financiare. Nuk e dimë ende karburantin, do jetë me akcizë apo pa akcizë. Kanë ardhur në tetor, po ikën maji, dhe s’janë vendosur asnjë ditë në punë”.



