Mikroskop i Irida Feshti ka dashur të përqëndrohet tek tema delikate e të drejtës së autorit. Në studio e TemA TV, mbi temën në fjalë Feshti ftoi Juristin dhe Pedagogun e Fakulteit Juridik ne Universitetin e Tiranës, Oltion Spiro.
Shqiptarët janë tashmë të informuar se të “vjedhësh” një lajm, një vepër artistike, kulturore dhe shkencore duke shkelur të drejtën e autorit përbën në thelb një vepër të rëndë penale.
Respekti ndaj “gjësë” së tjetrit nuk është një karakteristikë për të cilën shqiptarët dallohen e për t’i vënë një fre kësaj tendence të dënueshme ligjërisht duhet të veprojnë ligjet.
Këtë të hënë, projektligji i ri për të drejtën e autorit u prezantua nga Ministrja e Kulturës, Mirela Kumbaro përpara Komisionit të Edukimit dhe Mjeteve të Informimit Publik me besimin se do t’i japë fund keqinterpretimeve dhe abuzimeve duke lehtësuar punën e Zyres Shqiptare të së Drejtës së Autorit dhe Ministrisë së Kulturës ndër vite.
Ekspertët nënvizojnë faktin se “vjedhja” dhe plagjiatura e pronësisë intelektuale përbën një vepër të rëndë penale për të cilën ekzistojnë penalitete dhe ndëshkime të rënda të cilat variojnë nga gjobat e deri te heqja e lirisë për të gjithë ata që shkelin kete rregull.
Media audiovizive është mjedisi më favorizues për këtë lloj abuzimi e sidomos kur bëhet fjale për plagjiaturen dhe cënimin e ekskluzivitetit te lajmit. Spiro nënvizon në studion e “Mikroskop” se çdo agjenci lajmesh ka detyrimin të citojë burimin e informacionit duke mbajtur pergjegjesinë e rreptë per gjithçka i ofrohet publikut, në të kundërt penalizimet do të jenë të rënda.



