
Nga vlerësimet paraprake jo zyrtare dëmet e shkaktuara nga përmbytjet masive në Itali llogaritet të kapin e vlerën e 5 deri në 6 miliardë eurove ku 300 milionë euro nevojiten për rimëkëmbjen e bujqësisë, 1.7 milion për ndërhyrjet urgjente në zonat e prekura dhe 1.25 milionë euro për rregullimin e ndërtesave.
Ndërsa në mbledhjen e qeverisë ditën e sotme u vendos dhënia e mbi 100 milionë eurove si ndihmë e parë për rimëkëmbjen në rajonin e Emila Romagna.
Edhe pse paketa është ende duke u detajuar ky fond do të merret nga të ardhurat që i janë sekuestruar organizatave kriminale.
Ashtu siç tha edhe kryeministrja teksa inspektoi zonat e prekura. Burime pranë qeverisë po ashtu bënë të ditur edhe një zgjatje të mundshme të gjendjes së jashtëzakonshme dhe pezullimin e taksave dhe sigurimeve shoqërore për banorët e prekur deri në muajin tetor ose në nëntor.
Autoritetet ndërkohë bënë të ditur se po punohet për nisjen e procesit mësimor si edhe për rifinancimin e Fondit Kombëtar të Emergjencave.
Nga reshjet intensive vetëm në Ravena janë përmbytur mbi 3 mijë shtëpi ndërsa sektori më i dëmtuar është ai bujqësor për të cilin fermerët dhe pronarët kërkojnë 100% rimbursime.
Ndërsa në fazën e dytë e planifikuar të zgjasë tre vite 2024, 2025, 2026 Ministria e Mjedisit propozon dhënien e 2.5 miliardë eurove shumë e cila pritet të miratohet në qershor.



