Një situatë alarmante e menaxhimit të mbetjeve ka degjeneruar mesditën e sotme në lagjen “Kodër”, në Njësinë Administrative Sukth, ku një nga ven-depozitimet kryesore të mbeturinave urbane është përfshirë nga flakët e zjarrit.
Sipas dëshmive të vetë banorëve të zonës, situata ishte rënduar prej kohësh. Mbetjet urbane kishin ditë të tëra që nuk tërhiqeshin nga firmat përgjegjëse, duke krijuar pirgje të mëdha dhe aromë të mbytëse.
Në pamundësi për të duruar këtë gjendje, dyshohet se mbeturinave u është vënë flaka qëllimisht gjatë mesditës, duke shkaktuar një re të dendur tymi toksik virulent mbi lagje.
Për të neutralizuar flakët që rrezikonin të përhapeshin dhe për të fikur zjarrin, ka qenë e domosdoshme ndërhyrja me urgjencë e një mjeti zjarrfikës.
Efektivët kanë punuar me shpejtësi për të izoluar vatrën e zjarrit përpara se tymi të pushtonte shtëpitë përreth.
Aktualisht, situata është normalizuar dhe flakët janë shuar plotësisht, por ngjarja ka rikthyer në vëmendje problematikën e madhe të mbetjeve dhe pastrimit në këtë zonë.



