Duke folur për “Expressin” në lidhje me arrestimin e kreut të AAK-së Ramush Haradinaj dhe situatën pas zgjedhore në Maqedoni, kreu i Kuvendit të Shqipërisë, Ilir Meta, nuk ka lënë pa komentuar as situatën politike në Shqipëri, zgjedhjet e qershorit si dhe presidentin e ardhshëm.
Kreu i LSI-së u pyet nëse do të jet ai kandidat për pozitën e Presidentit. “E kam dhënë një përgjigje të qartë për këtë çështje. Shqipëria ka më 18 qershor zgjedhje dhe e kam bërë të qartë që edhe më 19 qershor do të jem kryetari i LSI-së, që do të thotë se rezultati i saj do të jetë mjaftë pozitiv dhe unë do të kem arsye të vazhdoj udhëheqjen e kësaj force politike”, theksoi Meta.
Kryeparlamentari u pyet edhe për zgjedhjet e ardhshme nëse do të vazhdoj koalicionin me PS apo do të riktheheni të PD’ja e Bashës?
“Lëvizja Socialiste për Integrim pa asnjë diskutim që do të përmbush gjithë detyrimet e saj, sipas marrëveshjes së koalicionit me PS-në, sepse kemi mjaft sfida, të cilat nuk na lejojnë të humbasim asnjë minutë me çështje më pak të rëndësishme, siç është përfundimi i reformës zgjedhore, thellimi i zbatimit të dekriminalizimit dhe zbatimi i plotë i tij, vazhdimi i reformës në drejtësi dhe garantimi i zgjedhjeve të lira dhe të ndershme, një sfidë mjaft e rëndësishme. Në këtë drejtim, këto çështja kanë vëmendjen më të madhe tonën”, tha Meta.



