Estonia do të marrë 156 milionë euro nga Bashkimi Europian si kompensim për ndihmën ushtarake të dhënë ndaj Ukrainës.
Kështu deklaroi të mërkurën Thomas Mell, zëdhënës i Ministrisë së Mbrojtjes së Estonisë.
Bashkimi Europian miratoi ndarjen e gjashtë paketave të ndihmës për mbështetje ushtarake për Ukrainën në kuadrin e Fondit Europian të Paqes për një total prej 3.1 miliardë euro. 156 milionë euro do t’i kthehen Estonisë.
Më herët është marrë vendimi për kompensimin e Estonisë në shumën prej 135 milionë eurosh. Kështu Talini do të marrë 21 milionë euro të tjera nga këto paketa.
Siç raporton Tass, republika baltike do të mund t’i përdorë këto fonde për të rikthyer potencialin e saj ushtarak.
Në mes të muajit nëntor, kancelari i Ministrisë së Mbrojtjes së Estonisë, Kusti Salm, njoftoi se vëllimi i përgjithshëm i ndihmës ushtarake të ofruar nga Estonia për Ukrainën po i afrohej 300 milionë eurove.



