
Një operacion i koduar “Balerinat” ka çuar në pranga një 50-vjeçar, i cili kishte krijuar një rrjet të mirëfilltë prostitucioni. Rinard (Frederik) Tota (Tata) 50 vjeç, i martuar dhe baba i dy fëmijëve, drejtonte grupin e vajzave të cilat ushtronin profesionin e balerinave. Ai njihej edhe si Rinard edhe si Frederik, ndërsa mbiemrin nga Tota e kishte kthyer në Tata, me synim që t’i shpëtonte policisë, për shkak se rezultonte i përfshirë edhe në vepra të tjera penale.
Tota kishte në pronësi një ambient tre katësh, i cili u sekuestrua në në kuadër të operacionit kombëtar “Forca e ligjit”dhe që dyshohej se ishte vatra e prostitucionit.
Gjatë operacionit, krahas Totës u arrestua edhe Kastriot Musa, 41 vjeç, banues në fshatin Barbullush, Shkodër; S.M., 32 vjeçe, banuese në qytetin e Shkodrës, e dënuar më parë për veprën penale ushtrim prostitucioni; A.M., 33 vjeçe, banuese në Shkodër; A.Ll., 33 vjeçe banuese në Burrel; A.N., 25 vjeçe, banuese në Lezhë; A.M, 33 vjeçe, banuese në Shkodër.
Rinard Tota dyshohet se ishte organizator i kësaj veprimtarie kriminale ku prej kohësh shfrytëzonte për ushtrim prostitucioni shtetaset e sipërpërmendura, në lokalin e tij “Tata”, në qytetin e Shkodrës.



