Gjysmë miliardi euro që kushtoi fatura e krizës energjitike gjatë vitit të shkuar u është faturuar e gjitha qytetarëve. 260 milion euro është paguar në faturat e dritave dhe gjysma, rreth 240 milion euro, nga taksat e tyre përmes ndihmës që buxheti i shtetit i injektoi Korporatës Elektroenergjitike.
Por kjo faturë nuk është shlyer e gjitha. KESH ka akumuluar një humbje financiare për vitin 2022 në vlerën 225 milion euro. Për ta kthyer korporatën në parametrat që ishte përpara krizës, kryeministri hodhi sërish idenë për rritjen e çmimit të energjisë elektrike për konsumatorët.
“Qeveria ka patur dhe ka vullnte të vazhdojë të paguajë, por me ardhjen e verës konsumi do të rritet dhe ne do të duhet të rihapim diskutimin për fashën”, tha dy javë më parë në Kuvend kryeministri Edi Rama.
Sipas kësaj skeme, KESH do të rritë çmimin për energjinë që i shet kompanisë OSHEE. Kjo lëvizje miratohet nga Asambleja e Përgjithshme që në këtë rast është ministrja e Infrastrukturës dhe Energjisë Belinda Balluku. Në këto kushte, OSHEE do të aplikojë pranë Entit Rregullator të Energjisë për rritjen e çmimit për konsumatorin fundor. Nga pikëpamja e aritmetikës, ERE do të jetë e detyruar të miratojë rritjen, ndërsa pavarësia e këtij bordi është vënë në pikëpyetje dhe në raste të tjera, siç ndodhi në disa raste gjatë fundvitit 2022.
“Në komunikimin publik është e gabuar qasja me hapje paniku që ushtrohet presion mbi konsumatorin fundor, nëse nuk shpenzohet energji vendi nuk zhvillohet dhe familjarët nuk jetojnë më mirë. Sasia e energjisë që konsumohet është indeks i zhvillimit të një vendi”, thotë Zef Preçi, drejtor i Qendrës për Kërkime Ekonomike.
“Në situatën aktuale nuk ka arsye për të rritur çmimin e energjisë. Në 3 muajt e parë prodhimi vendas është rritur me 40% në pjesën e vitit të parë dhe pjesa më e madhe është prodhuar nga hidrocentralet e KESH, madje KESH ka arritur që jo vetëm të plotësojë konsumin vendas por dhe të eksportojë. Kostoja mesatare e prodhimit të energjisë është 1.5 lekë për kilovat orë dhe i shitet konsumatorit me 9.5 lekë, nuk ka vend të flasësh për rritje të çmimit”, thotë gazetari i ekonomisë Klodian Tomorri.
“Çmimi po tentohet të rritet sepse duhen të ardhura pasi KESH ka dalë me bilac negativ dhe duhen likuiditete dhe do gjendet një formë për ta marrë, por poi a marin qytetarëve, atyre që janë më të rregullt me fatura dhe janë shtresa më e dobët. Le të kthejmë ndryshe, pse duhet t’i rritet çmimi qytetarëve kur kanë qënë të rregullt? Për mua duhet t’i ulet sepse humbjet në rrjet nuk janë ulur sipas angazhimeve që morri OSHEE kur ERE i miratoi rritjen e çmimit në 9.5 lekë kilovat orë në vitin 2014”, thotë eksperti i energjisë Azmer Duleviç.
Po a duhet që peshën e krizës ta mbajnë konsumatorët? Nëse shohim treguesit e sjelljes së tyre përgjigjja është e prerë: Jo!
Humbjet për shkak të lidhjeve të paligjshme të energjisë janë ulur nga 2.1 terravat orë në vitin 2013, në 0.47 terravat në fund të vitit 2022. Pra, vjedhja e energjisë ka rënë me 4.4 herë ose 440%.
Kjo nuk mund të thuhet për humbjet teknike, që kanë të bëjnë me rrjetin e amortizuar. Ato janë ulur vetëm 10%, nga 1.1 terravat orë në 0.98 terravat.
“Në thelb po të shihni se sa energji është blerë dhe sa kanë shkuar për humbjet do e shihni që problemi është te shpërndarja dhe rrjeti i amortizuar”, thotë Zef Preçi.
Nëse do t’i bënim llogaritë ndryshe, importet e energjisë vitin e shkuar kanë qënë të barabarta me nivelin e humbjeve të energjisë. 1.45 terravat humbje totale dhe 1.46 terravat energji e importuar.
146 milion euro është energji e vjedhur dhe 300 milion euro energji që ka shkuar dëm për shkak të rrjetit. Çfarë do të ndodhte nëse kjo sasi parash do të ishte investuar për përmirësimin e infrastrukturës së shpërndarjes?
“Nuk janë qytetarët ata që nuk paguajnë faturat e energjisë, janë insitucionet jo buxhetore dhe ujësjellësat. Dhe sërish qyetarët i paguajnë dhe faturat e ujit, por është keqmenaxhimi i sektorit, teknologjia e vjetër që përdorin që krijon kosto për humbje të larta dhe konsum të lartë të energjisë”, thotë eksperti Duleviç.
Jo vetëm vjedhjet e energjisë kanë rënë me 4 herë gjatë dekadës së fundit, por dhe detyrimet që konsumatorët familjarë kanë ndaj Operatorit të Shpërndarjes së Energjisë janë ulur në 10 vjet me 96 milion euro. Pavarësisht kësaj, borxhet që klientët kanë ndaj OSHEE-së janë në rritje edhe pse një dekadë më parë u ndërmorr një në sektorin e energjisë elektrike. Borxhin më të lartë e kanë institucionet publike. Në total ndërmarrjet shtetërore kanë 168 milion euro fatura të pashlyera ndaj OSHEE-së, pjesa më e madhe e tyre lidhet me kompanitë e ujësjellësave. Që nga Vendimi i Këshillit të Ministrave në vitin 2014, i cili fshiu të gjithë detyrimet e kompanive publike ndaj OSHEE. borxhi është rritur me 141 milion euro.
“Qytetarët i kanë paguar faturat e energjisë dhe në vitin 1997, ata janë të rregullt. Shteti vetë nuk paguan, por paratë i përdorin për shpenzime luksi, punësime të shumta dhe nuk shlyejnë detyrimet kryesore”, thotë Zef Preçi.
Edhe institucionet buxhetore e kanë rritur borxhin nga 25 milion euro në 2014, në 44.3 milion në fund të vitit 2022. Rritjen më të ulët e kanë detyrimet e sektorit privat, nga 94 milion euro në 108 milion.
Edhe pse konsumatorët familjarë në dukje kanë detyrimet më të larta ndaj kompanisë së shpërndarjes, 418 milion euro, borxhi i tyre nuk është rritur, por ka rënë. Ata paguajnë rregullisht faturat e energjisë dhe pjesa e detyrimeve lidhet me borxhin që kishin përpara reformës në sektorin e energjisë, i cili po paguhet me këste nga aktmarrëveshjet e lidhura.
Norma e arkëtimit të faturave të energjisë elektrike është rritur nga 79.3% në 2013-n në 98% në fund të vitit të shkuar. Edhe efektiviteti i shitjeve është përmirësuar në 78.7% nga 43.6 në vitin 2013-ë.
Ndaj nëse do të duhet të bëhej një bilanc se cilët kanë patur sjelljen më të mirë ndaj OSHEE, do të rezultonin abonentët familjarë, të vetmit që qeveria prej 1 viti po mban nën kërcënimin e vazhdueshëm për rritjen e çmimit.
Vjedhjet e energjisë kanë rënë, por humbjet teknike janë larg planit të strategjisë të rimëkëmbjes së sektorit.
Borxhi ndaj OSHEE është rritur nga të gjithë kategoritë me përjashtim të konsumatorëve familjarë.
Norma e arkëtimit e tyre është përmirësuar duke paguar në kohë faturat.



