Një i ri në Kukës i cili lëvizte i armatosur me automatik si dhe gjatë kontrollit në banesë iu gjet dhe një tjetër armë zjarri, ka përfunduar në prangat e policisë.
Uniformat blu të Kukësit dhe forca speciale “Shqiponja”, finalizuan operacionin policor të koduar “Armed”, në kuadër të të cilit u bë arrestimi në flagrancë i T. H., 23 vjeç, banues në fshatin Shishtavec, për “Mbajtja pa leje dhe prodhimi i armëve, armëve shpërthyese dhe i municionit”.
Në pranga përfunduan edhe dy shokët e tij E.Ç., dhe A .S., të moshës 23 vjeç, të dy banues në fshatin Shishtavec, për moskallëzim krimi.
Shërbimet e policisë kanë ndaluar automjetin “Benz”, me drejtues shtetasin T.H., dhe pasagjerë shtetasit E. Ç., dhe A.S.
Gjatë kontrollit në automjetin, u gjet një armë zjarri automatik, e cila u sekuestruan në cilësinë e provës materiale së bashku me automjetin.
Në vijim të veprimeve hetimore, nga kontrolli i ushtruar në banesën e shtetasit T.H., shërbimet e policisë gjetën dhe sekuestruan një tjetër armë zjarri pushkë.



