
Prej disa kohësh Qendra e Botimeve Zyrtave, e cila përgjigjet për botimin në formë të shtypur dhe elektronike të legjislacionit shqiptar, nuk ofron më botime të shtypura.
Ligji parashikon se kur është i nevojshëm publikimi i Fletores Zyrtare dhe sistemi informativ i Qendrës së Botimeve Zyrtare nuk është funksional, vetëm botimi i shtypur i Fletores Zyrtare është autentik dhe prodhon efekte juridike.
Por në këtë rast as fletore zyrtare të botuara të këtij vitit, në institucion nuk ka. Sipas punonjësëve të QBZ, shkak është bërë problemi me printerin.
Pas shqetësimit të ngritur nga qytetarët emisioni “Xhadat” u vu në rolin e tyre për të kuptuar më mirë situatën.
Xhadat: Më duhet një kod penal edhe një vendim.
Punonjësi: Kodi penal ka mbaruar, tani në fund të nëntorit botohen të tjerat.
Xhadat: Më duhet edhe një vendim tjetër.
Magazinierja: Ne nuk kemi gjendje fletore për momentin, se i kemi printerat jo funskional.
Punonjësi: Janë jashtë përdorimi komplet. Për momentin nuk kemi se po bëjmë tenderin që
të vihen në punë printerat. Sistemi jonë është hakuar.
Xhadat: Domethënë keni problem printeri, s’e marr dot sot unë?
Magazinierja: Jo, jo. S’e kemi. S’kemi asnjë lloj fletore të 2022-shit, asnjë fije. Të marr unë në
telefon kur të shtypet fletorja që ta tërheqësh.
Xhadat: Po sa kohë ka?
Punonjësi: U bë gati një muaj. Eshtë mbaruar licensa e printerit.
Printeri këtu punon me licensë. Tani është bërë tenderi për të blerë licensën, blerë
shërbimin. Ka mbaruar tenderi i parë, është bërë tenderi i dytë. Mesa mora vesh ishte fituar
tenderi, tani brenda javës…Se di ç’të them. Kemi pasur probleme edhe me sistemin.
Xhadat: Që është hakuar?
Punonjësi: Ëhë! Njësoj është. Si e printojmë ne, si e printon online. Me vulë të thatë është.
Xhadat: Ju kaq punëtorë jeni?
Punonjësja: Jo, jo. Nuk punon interneti. I ka shkatërruar gjithçka. Kompjuterat i ka shkatërruar. Në kafe janë. S’kanë çfarë të bëjnë. Një ditë vjen interneti, tre ditë nuk vjen.
Punonjësi: Kemi faktikisht probleme me sistemin, probleme me… vazhdimisht.
Punonjësit deklarojnë se sistemi u hakua.
“Kemi pas probleme si të gjithe, kur ishte problemi i sulmit, që nuk funksionuam kaq kohë por tani jo, e kemi faqen”.
Mungesa e botimeve të dokumentave më të rëndësishme zyrtare, në formë të shtypur, përballë rrezikut të hakimit të faqeve zyrtare, sulm me të cilin Shqipëria po përballet çdo ditë, e shndërron këtë çështje në një skandal të vërtetë.
Ndërkohë Xhadat bëri një kërkim në lidhje me procedurat e ndjekura nga Qendra e Botimeve Zyrtare për tenderin me objekt: “Mirëmbajtje e Printerit Digital Xerox D 136, për vitin 2022”, me afat 12 muaj. Sipas Agjencisë së Prokurimit Publik, procedura e parë u anulua “për shkak se dokumentet e tenderit përmbanin gabime ose mangësi të rëndësishme. Ndërsa në procedurën e rihapur për herë të dytë QBZ shpalli fitues, subjektin me ofertën më të lartë. Njëri nga operatorët e skualifikuar, u ankua në Komisionin e Prokurimit Publik, nga ku ky i fundit, shfuqizoi vendimin e Qendrës së Botimeve Zyrtare, dhe shpalli fitues subjektin e skualifikuar, që u ankua.
Mesa duket QBZ ka probleme edhe me përgatitjen e procedurave dhe organizimin e tenderave, probleme të cilat kanë sjellë vonesa, që sot duhet t`i paguajnë qytetarët.



