
Deri më tani disa shtete kanë bojkotuar pjesëmarrjen në ceremoninë e çmimit Nobel në Letërsi për shkrimtarin Peter Handke.Përveç Kosovës, Shqipërisë, Turqisë, Kroacisë, Bosnjës, së fundmi edhe Maqedonia e Veriut dhe Afganistani kanë bojkotuar ceremoninë e Nobelit për shkrimtarin Peter Handke.
Sipas këtyre shteteve, arsyeja e bojkotimit të këtij eventi është dhënia e çmimit Nobel për shkrimtarin Handke, i cili ka përkrahur politikat gjenocidale të presidentit serb, Sllobodan Millosheviç, gjatë viteve 90’të.
Ministri i Jashtëm në detyrë i Kosovës, Behgjet Pacolli, ka falëndëruar homologun e tij maqedonas, Nikola Dimitrov, për mospjesëmarrje të Maqedonisë së Veriut në ceremoninë e ndarjes së çmimeve Nobel për shkak të dhënies së çmimit për Letërsi shkrimtarit austriak Peter Handke, i cili ka qenë mik dhe përkrahës i Millosheviçit.
Përzgjedhja e Akademisë Suedeze, e shpallur në tetor, provokoi një valë zemërimi në Ballkan dhe përtej, për shkak të mbështetjes së Handke për diktatorin serb, Sllobodan Millosheviç.
Ceremonia do të organizohet sot në një banket gala me 1200 të ftuar. Çmimin do e dorëzojë mbreti Gustaf.
Sipas gazetave suedeze, të paktën dy protesta janë paralajmëruar për këtë shkak.
Qindra njerëz priten të marrin pjesë në dy protestat. E para do mbahet në qendër të Stokholmit, e dyta pranë vendit ku do dorëzohen çmimet.
Teufika Sabanoviç, një nga organizatoret, tha për AFP: “Ai është lejuar të shkruajë çfarë të dojë. Problemi është se ai po nderohet për shkrimet e tij”.
Sabanoviç ka humbur babanë dhe shumicën e fisit në Srebrenicë.
Vetë Handke iu shmang pyetjeve për këtë çështje në Stokholm. Ai tha se pëlqen letërsinë, jo opinionet.
Me fitimin e çmimit Nobel, Handke do të marrë 952 000 dollarë si dhe një medalje dhe një diplomë.



