Aktivisti i protestës qytetare dhe ideatori i krijimit të një Kuvendi Kombëtar Qytetar, Edviol Kulluri, deklaroi se në këtë fazë prioritet mbetet forcimi i protestës dhe rritja e pjesëmarrjes së qytetarëve, ndërsa çdo iniciativë tjetër duhet të vijë vetëm pasi protesta të ketë realizuar objektivat e saj.
I ftuar në emisionin "Të Paekspozuarit" në MCN TV, Kulluri u shpreh se asnjë strukturë apo organizim nuk mund të vendoset mbi vullnetin e qytetarëve që marrin pjesë në protestë.
Mendoj se protesta në këtë moment ka nevojë të shtojë numrat dhe të qëndrojë e fortë. Vullnetit të qytetarëve që janë në protestë nuk mund t'i mbivendoset asnjë organizim tjetër. Unë jam ideatori i idesë për krijimin e Kuvendit Kombëtar Qytetar dhe e kam propozuar vetë, por protesta dhe vullneti i saj janë mbi çdo organizim. Vullneti i qytetarëve është mbi çdo strukturë dhe nuk ka asnjë kuvend që mund t'i mbivendoset atij.
Sipas tij, ideja për ngritjen e Kuvendit Kombëtar Qytetar lidhet me fazën pas përfundimit të protestës dhe realizimit të objektivave të saj.
Nëse protesta finalizohet me sukses dhe arrin qëllimin e saj, pra nëse kjo qeveri largohet dhe Edi Rama jep dorëheqjen, atëherë protesta do ta ketë përmbushur misionin e saj dhe do të shpërndahet. Pikërisht në atë moment kam hedhur idenë që të krijohet një Kuvend Kombëtar Qytetar. Por kjo nuk do të ndodhë përpara se protesta të ketë sukses. Pa realizimin e këtyre objektivave nuk ka asnjë kuvend.



