Policia e Lezhës ka arrestuar një 40-vjeçar pasi akuzohet për tregtimin e minave me telekomandë, që përdoren në ngjarje kriminale.
Gjatë operacionit të koduar "Udhëtimi", blutë e Lezhës kanë sekuestruar 6 mina me telekomandë duke arrestuar në flagrancë Eduard Sinanaj, 40 vjeç, banues në Tiranë i dënuar më parë për veprën penale "Dhënie ndihme për kalim të paligjshëm të kufirit".
Në aksin rrugor Milot - Lezhë, në Ishull Lezhë, u kap me automjetin e tij tip "Peugeot" që po drejtonte, pasi në bagazh, në një rrotë karroce, kishte fshehur 6 mina me telekomandë.
Vepra penale në ngarkim të tij është ajo "Trafikim i armëve dhe municioneve".
Policia thotë se materialet procedurale iu referuan Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Lezhë për veprime të mëtejshme.



