
Anëtari i Gjykatës së Lartë, Artan Broci, është shkarkuar nga detyra, pasi nuk ka kaluar dot sitën e vetingut.
Trupa gjykuese e Komisionit të Pavarur të Kualifikimit vendosi shkarkimin nga detyra të Artan Brocit, i cili mban dhe postin e kryetarit të Këshillit të Emërimeve në Drejtësi.
Broci u bë gjyqtari i katërt i Gjykatës së Lartë, i cili nuk arrin të kalojë vetingun. Përmes një deklarate për mediat, Broci e cilësoi KPK-në si komisarët politikë të kryeministrit Edi Rama, që sipas tij nuk dolën dot nga urdhrat politikë.
"K.P.K si komisaret politik te kryeministrit nuk dolen dot nga urdherat politike. U provova se te ardhurat e mia jane te ligjshme, te konfirmuara nga Tatimet, kalova ne pikepamjen time te tre testet: pasuror, profesional dhe figuren, por nuk kalova dot testin e nenshtrimit per çeshtje te caktuara dhe ate te kryetarit te Keshillit te Emerimeve ne Drejtesi. Beteja ime ligjore do vazhdoje deri ne fund", deklaron Broci.
Gjyqtari Broci nuk ishte i vetmi që u shkarkua, pasi Komisioni i Pavarur i Kualifikimit ngeli në klasë edhe drejtuesin e Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Tiranë, Dritan Rreshka.
Vendimi ndaj tij u mor për mosdeklarim të rregullt të pasurisë, ndërsa avokati i tij deklaroi se do ta ankimojë vendimin.
Ndërkohë u konfirmua në detyrë gjyqtari tjetër i Gjykatës së Lartë, Medi Bici.



