
Sot nis muaji i shenjtë i Ramazanit, një nga periudhat më të rëndësishme për besimtarët myslimanë në mbarë botën. Muaji i nëntë i kalendarit islamik hënor shënon kohën e agjërimit, reflektimit shpirtëror dhe përkushtimit ndaj besimit.
Agjërimi është një nga pesë shtyllat e Islamit dhe konsiderohet obligim për të gjithë besimtarët e rritur që nuk kanë probleme shëndetësore. Nga agimi deri në perëndim, ata nuk konsumojnë ushqim apo pije dhe shmangin marrëdhëniet intime.
Ramazan konsiderohet muaji i durimit, vetëkontrollit dhe lutjes, një periudhë që fton besimtarët në reflektim mbi përgjegjësitë ndaj Zotit, vetes, familjes dhe shoqërisë.
Ai përkujton zbritjen e parë të Kuranit tek Muhammad. Brenda këtij muaji ndodhet edhe Nata e Kadrit, e cilësuar si nata më e vlefshme e vitit për besimtarët.
Muaji përmbyllet me festën e Fitër Bajramit, ndërsa autoritetet fetare u bëjnë thirrje besimtarëve ta kalojnë këtë periudhë me paqe, solidaritet dhe përkushtim, duke theksuar rëndësinë e vlerave shpirtërore dhe njerëzore që përcjell Ramazani.



