
Duket se akujt në PD po shkrijnë. Deputetët demokratë që njohin ende për kryetar grupi Enkelejd Alibeajn vendosën në mbledhjen e përjavshme të kësaj të hëne të futen në negociata zyrtare me Sali Berishën dhe aleatët e tjerë me qëllim për të dalë me 1 kandidat të opozitës në zgjedhjet lokale të 2023.
Në një deklaratë të përbashkët, grupi i deputetëve sqaron se për negociatat është mandatuar Gazment Bardhi, i cili është gati për të nisur bashkëpunimin nga sot. Ai sqaroi se nuk do të vendosë kushte, por as do të pranojë kushte.
Çdo çështje tjetër që i mbivendoset kësaj çështje (për zgjedhjet vendore) është tentativë për të bllokuar bashkëpunimin për demokratët, nuk ka ndodhur asgjë për të ndryshuar mendim, opozita dhe më së pari PD duhet të ketë bashkë një kandidat. Jam mandatuar për të folur brenda PD, pastaj si do shtrihet me partitët e tjera opozitare, do vendoset. Pa asnjë parakusht apo kusht, për një hall të përbashkët, si të mundim Edi Ramën.
Vetëm pak ditë më parë, kryetari i PD ftoi deputetët me në krye Alibeajn që të ulen në negociata për të bashkëpunuar për zgjedhjet lokale, ftesë që me sa duket është pranuar.
Gjithsesi, Berisha nuk ka folur më për këtë çështje, teksa këtë javë e nisi me një deklaratë nga selia e PD duke premtuar se do të krijojë një grup hetimi për operacionin antidrogë në Lazarat në vitin 2014, me akuzën se kryeministri Rama dhe ish-ministri i Brendshëm, Saimir Tahiri urdhëruan krime ndaj banorëve të zonës.
Pas më shumë se 1 viti, kjo do të jetë hera e parë që PD e drejtuar nga Berisha dhe grupi i drejtuar nga Alibeaj do të ulen në negociata për të bashkëpunuar. Pritet që në tryezë nga selia blu përfaqësues të jetë Edi Paloka ndërkohë nga këto negociata i vetmi i përjashtuar është Lulzim Basha.



