
Gazetari i ekonomisë, Klodian Tomorri, thotë se pas vendimit të Gjykatës Administrative të Apelit për të riaktivizuar koncesionin me vlerë 457 milionë euro të rrugës Thumanë-Kashar mund të qëndrojë një skemë e stisur që ka dakordësinë e të gjitha palëve të përfshira. Në studion e lajmeve në MCN TV, Tomorri tha se ka dyshime që vendimi i gjykatës mund të jetë dakordësuar më parë me qeverinë dhe kompaninë fituese Gener 2, e gjitha kjo në dëm të taksapaguesve.
Kjo mund të jetë një skemë e stisur me dakordësinë e të gjitha palëve. Koncesioni kthehet përmes gjykatës, qeveria lan duart e anulova e ktheu gjykata dhe taksapaguesve u ngarkohet fatura gjysmë miliard euro për 20 km rrugë. Zonja Balluku tha kur lajmëroi ndërprerjen e koncesionit se do të financohet pakti për universitetin. Por në të vërtetë ato deklarata ishin thjesht një karrem për të shuar grevën e studentëve. Paratë nuk shkuan te studentët asnjëherë. Studentët ishin thjesht një alibi, por arsyeja pse qeveria u tërhoq ishte shpërthimi i skandalit të Unazës dhe lidhja e kompanisë Gener 2.
Kontrata e koncesionit Thumanë-Kashar nuk u nënshkrua asnjëherë, për shkak të skandalit të Unazës së Re që shpërtheu në kohën kur po diskutohej. Fakti që kompania nuk ka pësuar dëme financiare, pikërisht për shkak të stadit në të cilën ndodhej procesi, sipas Tomorrit hedh hije dyshimi mbi vendimin e gjykatës.
Në këtë rast, kemi një gjë të qartë. Bëhet fjalë për një koncesion që nuk u miratua asnjëherë. Pak para se të miratohej shpërtheu skandali dhe qeveria u detyrua ta ndërpriste. Faza ishte diskutimi i kontratës, pa u miratuar në qeveri. Nga një kontratë që pezullohet pa u miratuar në qeveri, kompania nuk ka asnjë dëm. Mund të ketë nëse bën shpenzime për ndërtimin e rrugës, por është një dëm i papërfillshëm. Tani gjykata i kërkon Ministrisë së Infrastrukturës të çojë kontratën në qeveri.
Sipas Tomorrit, rruga në të cilën ka hyrë ky koncesion është e pakthyeshme. Kosotja e saj, plot 457 milionë euro, pra 22 milionë euro për km do të paguhet nga taksapaguesit shqiptarë.
Vendimi i Apelit është i detyrueshëm. Qeveria ka vetëm një mundësi: ta ankimojë në kolegj administrativ të gjykatës së lartë dhe të kërkojë pezullimin e vendimit deri në përfundim të gjykimit. Ndër koncesionet e famshme të qeverisë, ai i rrugës Thumanë-Kashar është ndër më klamorozët. Një rrugë me 20.8 km që në koston e parashikuar ishte 160 milionë euro në total. Ishte parashikuar të ndërtohej nga buxhet. Por nisën intrigat. Mbërriti një propozim nga Gener 2, u shpërblye me bonus dhe fitoi tenderin. 225 .8 milionë euro. Kjo ishte vetëm kostoja e ndërtimit. Në rastin e koncesionit kjo nuk është fatura totale e rrugës. Në finale në projektbuxhetin e 2019, kostoja doli 360 milionë euro dhe më pas arriti në 457 milionë euro, pra 22 milionë euro për km rrugë. Në 2019, shqiptarët ishin me fat që koncesioni nuk u miratua. Shpërtheu skandali i Unazës së Re. Kompania fituese ishte zgjatim i Gener 2, pra DH ALbania ishte pas Gener 2.



