Analisti Mentor Kikia, komenton vendimin e Gjykatës së Tiranës, e cila njohu statutin e Kuvendit të 11 dhjetorit, teksa thotë se është megalomane ta shndërrosh konfliktin brenda Partisë Demokratike me Shtetet e Bashkuara të Amerikës.
Duke folur për MCN TV, ai deklaroi se situata është shumë më e thjeshtë, pasi ambasada e SHBA u investua fuqishëm për të shmangur nga politika Sali Berishën dhe nga aty nisi historia e rikthimit të Berishës.
Sipas tij, përpjekjet në selinë e PD, nuk kanë reshtur për të kërkuar rikthimin e PD
Ka përpjekje të pandalshme, mendoj të sponsorizuara nga SHBA, për të minuar rrugëtimin e Berishës në PD. Regjistrimi i akteve, është një proces administrativ, në shumë vende kryhet nga noterët, këtu nga gjykatës. Kjo i jep fund besoj edhe atij konflikti të mbetur pas largimit të Bashës dhe besoj se askush nuk do të ketë fuqi të ndryshojë rrjedhën e PD, do futet në proces zgjedhor dhe këto zgjedhje i fiton Berisha.
Lidhur me qëndrimin e ambasadës amerikane, ai tha se nuk beson se do të kaloj në heshtje, por se do të gjendet një mënyrë moderne e formulimit të ndonjë deklarate.
Përtej ndonjë parregullsie, e gjej të justifikuar qëndrimin e gjykatës për të regjistruar aktet e Kuvendit të 11 dhjetorit, përderisa është konfirmuar se në atë Kuvend ishin shumica e demokratëve dhe zgjedhjet e 6 marsit konfirmuan shumicën e demokratëve, sepse vendi ka nevojë për opozitë dhe nëse një vendim i gjykatës do ishte kundër kësaj rrjedhe do ishte dëm për opozitën. Duhet të marrë fund koha kur drejtuesit e një vendi caktohen nga ambasadorët apo analistët. Demokracia do të thotë që njerëzit zgjedhin atë që duan.
Kikia deklaroi se Sali Berisha ka thyer rregullat e kohës, pasi nga një njeri që ishte strukur në strofën e gati një pensionisti, kur u etiketua si non grata, ndodhi e kundërta.
Mendonin se do ngrysej si i vetmuar në ndenjësen e sallës së Kuvendit, por ndodhi e kundërta. Berisha gjeti energji! Është për tu përgëzuar, brenda pak muajsh përmbysi realitetin brenda PD dhe sot duam apo s’duam ne, rikthehet si fitues në PD. Por Sali Berisha nuk mund ta çoj PD drejt fitores.
Por sa shanse ka përballë Edi Ramës, për tu rikthyer si Kryeministër, Kikia thotë se për Shqipërinë do të thotë të mbytesh me këmbët e tua, duke nënvizuar se vendi nuk mund të qëndrojë peng i një grupi njerëzish që thjesht bëjnë rokadë me njeri tjetrin.
Shqipëria ka nevojë jo thjesht për të ndryshuar emrat e njerëzve, por dhe mentalitet. Berisha e nxori nga letargjia ku po shkonte drejt vdekjes, e shkundi PD dhe do e fusë në një proces zgjedhor. PS është gati-gati një dru, që nga jashtë një pemë e madhe, brenda e krimbur nga korrupsioni. Berisha iku në 2013 për shkak të korrupsionit, vendi ka nevojë për alternativa të reja. Berisha është në të drejtën e tij, nëse votohet do të marrë drejtimin e PD, por duhet futur në funksion ndërgjegjja e njeriut, për të kuptuar që nuk mundet për të çuar në fund një ego tënde. Nuk ka ngelur më gjë për të bërë, prej tij.
Lidhur me denoncimin e ish-zëvendës Kryeministrit Erion Braçe, për rritjen e çmimit të kafesë, Kikia deklaroi se historia gati-gati po shndërrohet në një lloj komedie, sa i takon rolit që ka marrë shteti.
Sa herë kanë pakënaqësi tregojnë qeverinë dhe shtetin dhe qeveria bëri atë që është më e mirë për të. Ngriti ca borde, ministra dhe deputetë bridhnin nëpër markete dhe shikonin çmimet. Janë gati shfaqje që kanë humbur edhe sensin. Çmimet i përcakton tregu! Fakti dëshmoi që ne jemi të pambrojtur ndaj krizave sepse nuk kemi struktura funksionale. Nëse ka matrapazë që abuzojnë me situatën duke rritur çmimet në mënyrë artificiale, duhet të kishin ndërhyrë strukturat shtetërore. Deri sot shteti dhe strukturat e qeverisë nuk kanë vepruar. Më shumë se sa detyrim për të ndërhyrë në mënyrë harbute në treg, qeveria duhet të fus në funksion institucionet e veta.



