Kriza e tregut të punës dhe mungesa e fuqisë punëtore kanë bërë që gjithnjë e më shumë biznese të mbështeten te pensionistët për të plotësuar vendet vakante.
Në këto kushte, në Kuvend është depozituar një projektligj që parashikon përjashtimin e pensionistëve të punësuar nga pagesa e kontributeve të sigurimeve shoqërore dhe shëndetësore.
Nisma u diskutua në emisionin “MCN Economy”, ku përfaqësues të biznesit dhe ekspertë të ekonomisë vlerësuan ndikimin që mund të ketë kjo masë si për pensionistët, ashtu edhe për sipërmarrjen.
Kreu i Shoqatës së Biznesit të Vogël për Tiranën, Blerina Gjyriqi, tha se pensionistët vazhdojnë të jenë pjesë e tregut të punës kryesisht për shkak të vështirësive ekonomike, ndërsa bizneset po i shohin si një zgjidhje për mungesën e vazhdueshme të punonjësve.
Janë dy arsye kryesore që pensionistët vazhdojnë të punojnë. E para lidhet me pensionet e ulëta dhe kushtet ekonomike që nuk u mundësojnë të përballojnë jetesën vetëm me pensionin. Nga ana tjetër, sipërmarrja prej disa vitesh po përballet me mungesë të fuqisë punëtore dhe pensionistët po gjejnë vendin e tyre në tregun e punës. Unë vetë kam dy punonjës pensionistë dhe mund të them se kanë një etikë pune dhe një edukatë profesionale të jashtëzakonshme krahasuar me brezat e rinj.
Sipas saj, projektligji përbën një lehtësim të rëndësishëm për bizneset e vogla, të cilat po përballen me vështirësi në gjetjen e punonjësve.
Ky është një sinjal pozitiv për sipërmarrjen. Heqja e kontributeve do të ulte kostot dhe do të krijonte më shumë mundësi që pensionistët të qëndrojnë aktivë në tregun e punës. Për bizneset e vogla do të ishte një ndihmë konkrete dhe shpresojmë që projektligji të miratohet.
Gjyriqi theksoi se shumica e pensionistëve nuk punojnë për dëshirë, por për shkak të nevojës ekonomike.
Mund të them se arsyeja kryesore pse pensionistët vazhdojnë të punojnë janë kushtet ekonomike. Sigurisht që ka profesionistë që duan të mbeten aktivë, por një pensionist 66-vjeçar e ka shumë të vështirë të kryejë punë fizike. Në shumë raste është halli ekonomik ai që i detyron të vazhdojnë të punojnë edhe pasi kanë dalë në pension”, shtoi ajo.
Duke u ndalur te fenomeni i emigracionit, Gjyriqi ngriti shqetësimin për largimin e të rinjve dhe profesionistëve nga vendi.
Të dhënat që tregojnë se një pjesë e madhe e shqiptarëve të arsimuar janë larguar nga vendi janë alarmante. Kur largohen njerëzit e kualifikuar dhe intelektualët, kjo do të thotë se vendi po humbet kapitalin e tij më të rëndësishëm njerëzor. Nëse një profesionist nuk arrin të gjejë perspektivë në vendin e vet, atëherë ai zgjedh emigrimin si zgjidhje.
Eksperti i tregut të punës dhe sipërmarrësi Rrezart Lahi e cilësoi projektligjin si një hap të drejtë ndaj pensionistëve që vazhdojnë të kontribuojnë në ekonomi.
Dalja në pension duhet të konsiderohet një vlerësim për kontributin e një njeriu dhe jo një dënim. Këta njerëz kanë dekada eksperiencë dhe njohuri, janë një bibliotekë e gjallë për tregun e punës. Për këtë arsye, çdo e ardhur shtesë që ata sigurojnë nga puna duhet t’u mbetet atyre dhe jo të rikthehet në formën e kontributeve që nuk sjellin përfitime të drejtpërdrejta.
Ai nënvizoi se jo të gjithë pensionistët punojnë për shkak të vështirësive ekonomike.
Ka pensionistë që punojnë nga nevoja ekonomike, por ka edhe nga ata që vazhdojnë të punojnë sepse nuk e imagjinojnë dot jetën pa aktivitet. Im atë ka punuar deri në moshën 78-vjeçare si ekonomist dhe jo sepse e detyronin kushtet ekonomike, por sepse puna ishte pjesë e identitetit të tij. Nuk shoh asnjë problem që pensionistët të vazhdojnë të jenë aktivë në tregun e punës.
Sipas Lahit, problematika e tregut të punës nuk lidhet vetëm me plakjen e popullsisë, por edhe me largimin e të rinjve.
Ne nuk kemi thjesht një problem të plakjes së popullsisë, por një problem të braktisjes së vendit nga të rinjtë. Shumë njerëz largohen jo vetëm për arsye ekonomike, por sepse humbasin shpresën se mund të ndërtojnë një të ardhme këtu. Shteti nuk mund t’i mbajë njerëzit me kufij apo barriera, por duhet të krijojë mundësi të barabarta dhe modele suksesi që i motivojnë të qëndrojnë.
Ndërkohë, ekspertja e ekonomisë Teuta Nunaj shpjegoi aspektet ligjore të projektligjit dhe ndikimin e tij te pensionistët e punësuar.
Ligji aktual parashikon që të gjithë të punësuarit të paguajnë kontribute shoqërore dhe shëndetësore. Projektligji propozon që pensionistët e punësuar të përjashtohen nga ky detyrim. Bëhet fjalë kryesisht për pensionistët që punojnë në sektorin privat, pasi legjislacioni aktual nuk lejon që një individ të jetë njëkohësisht pjesë e administratës publike dhe përfitues pensioni.
Sipas saj, nisma është pozitive, por nuk zgjidh plotësisht problematikën e kësaj kategorie.
Sigurisht që është një lajm i mirë që pensionistëve t’u hiqet detyrimi për të paguar kontributet personale, por kjo është vetëm një pjesë e çështjes. Problemi është se sistemi aktual nuk i njeh si pension shtesë vitet e punës që kryhen pas daljes në pension. Për këtë arsye, ligji duhet të rishikohet në mënyrë që kontributi i tyre i vazhdueshëm të reflektohet edhe në përfitimet që marrin.
Nunaj theksoi se modeli duhet të jetë më fleksibël dhe të mos e konsiderojë pensionin si një proces të mbyllur.
Për aq kohë sa një qytetar vazhdon të punojë dhe të kontribuojë në ekonomi, ligji nuk duhet ta konsiderojë pensionin si një çështje të përfunduar. Duhet të ketë mekanizma që të njohin kontributin e mëtejshëm të pensionistëve, si për të punësuarit ashtu edhe për të vetëpunësuarit.



