Gjykata e Durrësit ka caktuar masat e sigurisë ndaj tre ish-punonjëseve të filialit të Postës Shqiptare në Durrës, të arrestuara në kuadër të hetimeve për zhdukjen e 69 milionë lekëve të destinuara për pensione dhe ndihma sociale.
Në përfundim të seancës, gjykata vendosi:
“Arrest me burg" për ish-drejtoreshën e filialit të Postës Shqiptare Durrës, Elisabeta Mataj;
“Arrest në shtëpi" për ish-shefen e Financës, Valbona Duni;
“Arrest në shtëpi" për ish-arkëtaren, Paola Danaj.
Gjykata vlerësoi si të ligjshëm ndalimin e tre të dyshuarave.
Sipas hetimeve paraprake të Prokurorisë, ato dyshohet se nuk kanë kaluar në arkat e degëve të Shijakut dhe Krujës një shumë prej 69 milionë lekësh të rinj, fonde të destinuara për shpërndarjen e pensioneve dhe ndihmave sociale.
Dyshohet se abuzimi ka ndodhur gjatë muajve prill dhe maj 2026, kur shuma që duhej të administrohej nga filiali i Durrësit nuk është regjistruar dhe nuk është përdorur për qëllimin e saj.
Sipas prokurorit ka rezultuar se drejtoresha e postës, Mataj, ka qenë frekuentuese e rregullt e dy kazinove në Tiranë.
Tre ish-punonjëset po hetohen për veprat penale "Shpërdorimi i detyrës" dhe "Vjedhja duke shpërdoruar detyrën", të kryera në bashkëpunim.



