Pagesat dixhitale/ Ekspertët: Shqipëria drejt reduktimit të cash-it, ndihmon në formalizimin e ekonomisë dhe uljen e informalitetit (VIDEO)

Pagesat dixhitale/ Ekspertët: Shqipëria drejt reduktimit të cash-it, ndihmon në formalizimin e ekonomisë dhe uljen e informalitetit (VIDEO)

Viti 2025 është mbyllur me një numër rekord prej 326,300 llogarish të parasë elektronike, përmes të cilave qytetarët shqiptarë kanë kryer një volum pagesash prej 1.9 miliardë eurosh.

 

Kësaj shifre i shtohen edhe 2.7 miliardë euro të transferuara përmes më shumë se 11 milionë transaksionesh të shërbimeve homebanking, duke dëshmuar një rritje të ndjeshme të përdorimit të shërbimeve financiare dixhitale në vend.

 

Megjithatë, sipas ekspertëve, ritmi i adoptimit mbetet ende nën potencialin e tregut dhe kërkon më shumë përfshirje nga qytetarët dhe bizneset.

 

Kontabilisti Igli Zepishta thekson se, ndonëse shifrat janë në rritje, përdorimi i pagesave dixhitale nuk ka arritur ende nivelin e dëshiruar në jetën e përditshme.

 

Ende nuk e ka marrë ritmin e duhur për t’u bërë pjesë e jetës së përditshme, qoftë edhe për pagesat në bankë. Shifrat kanë ardhur gjithmonë në rritje, por volumi mbetet relativisht i vogël. Megjithatë, interesi dhe nevoja janë në rritje dhe shqiptarët duhet t’i përqafojnë gjithnjë e më shumë këto forma pagesash dixhitale. 

 

Kjo pritet të bëhet e detyrueshme për bizneset brenda vitit, çka do të rrisë volumin dhe do t’u sjellë qytetarëve më shumë lehtësi në kryerjen e pagesave. Aktualisht ka një lloj ngërçi sa i përket bashkëpunimit dhe informacionit nga bankat, i cili duhet të jetë më i qartë për qytetarët. 

 

Qeveria synon uljen e përdorimit të cash-it dhe kjo po reflektohet edhe në faktin që pagat tashmë kalojnë përmes bankave, duke rritur numrin e llogarive bankare. Përdorimi më i ulët i parasë fizike ndihmon në formalizimin e ekonomisë dhe uljen e informalitetit.  

 

Ky proces kërkon kohë dhe do të zhvillohet hap pas hapi. Sistemi i pagesave kontribuon në formalizimin e ekonomisë dhe pritet që në vitin 2026 të monitorohen më tej efektet dhe hapat që do të ndërmerren për transaksionet e biznesit.

 

Nga ana tjetër, sipërmarrësi në fushën e IT-së, Igli Gjelishti, e vlerëson zhvillimin si pozitiv, por thekson se Shqipëria është ende në fazat e para krahasuar me vendet europiane.

 

Rritja është pozitive, por procesi është ende në fazë të hershme. Ligji ka hyrë në fuqi që në vitin 2020 dhe është dashur kohë për investimet e nevojshme. Mendoj se momenti për efektet reale është tani dhe ato do të shihen më qartë nga ky vit e në vijim. 

 

Përdorimi i platformave online dhe i kartave është në rritje, por jemi ende larg niveleve të Europës. Aksesi në shërbimet online po përmirësohet dhe po krijon kushte për një të ardhme më të zhvilluar. Nga ana rregullatore, janë marrë modele ligjore të ngjashme me ato të Bashkimit Europian dhe Banka e Shqipërisë garanton mbikëqyrjen dhe sigurinë. 

 

Fondet e parasë elektronike janë të mbrojtura në nivele të larta dhe standardet e sigurisë janë maksimale. Shqipëria tashmë është e licencuar në skema të mëdha ndërkombëtare si Visa, çka është një garanci shtesë për sigurinë dhe besueshmërinë e sistemit. Nuk ka vend për pasiguri në këtë aspekt, pasi gjithçka është e rregulluar me ligj. 

 

Ne jemi në kontakt të vazhdueshëm me bizneset, të cilat duhet të ndryshojnë qasjen e tyre dhe më pas kjo reflektohet edhe te qytetarët. Bankat janë shtylla kryesore e sistemit, ndërsa ne ofrojmë zgjidhje që rrisin eficiencën, duke lidhur faturimin me pagesat.

 

Ekspertët bien dakord se reduktimi i parasë cash dhe rritja e përdorimit të pagesave dixhitale do të ndikojnë drejtpërdrejt në formalizimin e ekonomisë shqiptare, ndërsa vitet në vijim pritet të jenë vendimtare për konsolidimin e këtij tranzicioni.

MCN Radio logo
MCN Radio
103.1 FM
Drupal Ad
Drupal Ad
MCN Radio logo
MCN Radio
103.1 FM
Radio
Intro

MCN TV është një televizion gjeneralist, i cili përfshin emisione, seriale, filma, dokumentarë etj. Ky televizion ka në dispozicion të tij katër studio televizive të pajisura me teknologjinë bashkëkohore.

Kategoritë
Streaming

MCN TV

MCN Radio

Contact

info@mcn.tv.al

+355 422 00200

All rights reserved. MCN 2025

Terms and ConditionsPrivacy Policy