Autoritetet kineze janë të sigurta se shpërthimi i koronavirusit të ri do të mposhtet së shpejti. Një vaksinë që supozohet se do të jetë efektive është krijuar. Ajo ndihmon sistemin imunitar t’i bëjë rezistencë infeksionit dhe është gati për t’u testuar. Lajmin e bëri të ditur ambasadori kinez në Rusi Zhang Hanhui para mediave vendase, raporton agjencia TASS.
"Ka besim në Kinë që së shpejti do ta mposhtim përfundimisht këtë shpërthim", tha ambasadori. "Përveç qendrës së epidemisë [në Vuhan] jeta normale do të rikthehet në shumicën e provincave dhe qyteteve deri në fund të këtij muaji. Sigurisht, besoj se ky moment do të ndodhë më vonë aty ku nisi shpërthimi, diku nga marsi", vuri në dukje ai.
Sipas diplomatit, vaksina e zhvilluar në Kinë është provuar efektive, por duhet të bëhen të tjera teste. "Kina ka zhvilluar një vaksinë që shton imunitetin. Por këto janë rezultate paraprake dhe duhet kohë për teste të mëtejshme", shpjegoi ai.
Kina ka rritur bashkëpunimin me komunitetin ndërkombëtar për të luftuar përhapjen e koronavirusit. Organizata Botërore e Shëndetit ka dërguar një delegacion në vend për të bërë një studim mbi koronavirusin e ri. "Ky delegacion përfshin dy specialistë nga Rusia. Më herët, Rusia dërgoi një delegacion me specialistë dhe specialistët tanë shkëmbyen përvoja me ta. Ky është një fillim shumë i mirë i bashkëpunimit midis Kinës dhe Rusisë në sektorin e kujdesit shëndetësor," tha ai.
Më 31 dhjetor, autoritetet kineze njoftuan Organizatën Botërore të Shëndetit (OBSH) për një shpërthim të një pneumonie të panjohur në qytetin Vuhan - një qendër e madhe tregtare dhe industriale në Kinën qendrore e populluar nga 12 milionë njerëz. Burimi i shpërthimit është koronavirusi COVID-19. Përveç Kinës, rastet e COVID-19 janë zbuluar në 30 vende, përfshirë Rusinë. OBSH e deklaroi shpërthimin e koronavirusit në Kinë një emergjencë globale shëndetësore.
Aktualisht, numri i përgjithshëm i personave të infektuar nga koronavirusi i ka tejkaluar 77 000 në Kinë, me gati 2 600 vdekje. Rreth 25 000 njerëz janë shëruar deri më tani.



