
Ish-agjenti i Agjencisë së Sigurisë Kombëtare (NSA), Edward Snowden, ka rënë dakord të heqë dorë nga më shumë se 5 milionë dollarë të fituara nga shitja e librit të tij dhe nga tarifat e konferencave që ka mbajtur pasi zbuloi sekretet e SHBA shtatë vjet më parë.
Snowden - i cili jeton në Rusi - publikoi librin “Permanenet Record” vitin e kaluar pa autorizimin e qeverisë amerikane, duke shkelur kështu marrëveshjet e moszbulimit që ai kishte bërë me CIA dhe NSA. Sipas CNN, një gjykatës federal ka dalë në krah të Departamentit të Drejtësisë në padinë e tij për kompensim kundër Snowden dhe tani po shqyrton shumën që duhet të shlyhet. Gjykatësi nuk e ka miratuar ende marrëveshjen e arritur midis ish-agjentit dhe dhe qeverisë.
Snowden fitoi 4.2 milionë dollarë nga shitjet e librave dhe 1.03 milionë dollarë shtesë nga konferencat, me një pagesë mesatare prej 18 000 $. Sidoqoftë, nuk është e sigurt nëse administrata amerikane do ta marrë menjëherë shumën. Sipas avokatit të Snowden, Lawrence Lustberg, autoritetet amerikane mund të kenë vështirësi në rikuperimin e parave nëse ato depozitohen jashtë shtetit.



