Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiç, deklaroi se vendi i tij po përballet me presione të ndryshme politike nga rajoni, duke përmendur në mënyrë të drejtpërdrejtë Prishtinën, Tiranën dhe Zagrebin.
Ai është takuar sot me udhëheqjen më të lartë të Ministrisë së Mbrojtjes dhe Ushtrisë Serbe, p[as se cilës theksoi se Serbia nuk do të devijojë nga kursi i saj shtetëror, raporton B 92.
“Situata e sigurisë është më e ndërlikuar sesa në janar, kur e trajtuam atë, kryesisht për shkak të veprimeve dhe aktiviteteve të mëtejshme të asaj që e quajti aleancë ushtarake të Prishtinës, Tiranës dhe Zagrebit. Angazhimi ynë për ruajtjen e paqes dhe stabilitetit nuk ka ndryshuar, dhe ne mund ta ruajmë atë vetëm nëse jemi mjaftueshëm të fortë dhe të përgatitur".
Ai shtoi se, pavarësisht këtyre zhvillimeve, institucionet serbe do të vijojnë punën për forcimin e shtetit dhe mbrojtjen e interesave kombëtare në rajon.
Në cilësinë e komandantit suprem të Forcave të Armatosura Serbe, Vuçiç bëri të ditur se ka propozuar miratimin e një strategjie për robotizimin e ushtrisë.
Sipas fjalëve të tij, ushtrinë e presin ndryshime revolucionare, prandaj ai u kërkoi anëtarëve të ushtrisë t'i qasen këtyre ndryshimeve me entuziazmin më të madh.
Sipas tij, plani përfshin krijimin e njësive ushtarake të pajisura me platforma robotike dhe dronë sulmues me rreze të gjatë veprimi, si dhe përdorimin e municioneve “fluturuese”.
Po ashtu, ai paralajmëroi trajnimin e njësive speciale të zbulimit për përcaktimin e koordinatave të objektivave për përdorimin e artilerisë dhe aviacionit, si dhe zgjerimin e përdorimit të dronëve në sektorë të tjerë të ushtrisë.
Vuçiç theksoi se këto masa synojnë modernizimin dhe rritjen e kapaciteteve ushtarake të Serbisë.



