Sot Brukseli do të publikojë progres raportin për Shqipërinë. Që prej vitit 2018 paketa e zgjerimit publikohej në pranvere por këtë herë për shkak të pandemisë së koronavirusit, Komisioni Europian ka vendosur publikimin e saj në fillim të muajit tetor.
Paketa përfshin analizën vjetore të procesit të zgjerimit si dhe raportet e detajuara për progresin që vendet kandidate kanë bërë në lidhje me integrimin në Bashkimin Europian.
Deri më tani asnjë detaj i paketës së zgjerimit nuk është zbuluar, por vetë komisioneri i BE për zgjerimin Oliver Varhelyi do të vizitojë rajonin. Axhenda dyditore e komisionerit përfshin takime në pesë vende të Ballkanit perëndimor dhe në Shqipëri do të mbërrijë pasdite teksa do të nisë takimet në orën 19:10.
Ambasadori Luigi Soreca njofton sot se Varhelyi do të ketë takime me Metën, Ramën, Bashën dhe jo vetëm, por edhe me drejtuesit e organeve të Vetingut.
Varhelyi mbërrin në Tiranë dhe fillimisht do të flasë në parlament, sipas Soreca-s, në 19:10 pasdite.
“Oliver Varhelyi do të vizitojë rajonin këtë javë për të prezantuar Raportet Vjetore & Planet Ekonomike të Investimeve. Ai do të jetë në Tiranë – në orën 7.10 pasdite. t’i drejtohet Parlamentit dhe të takohet me Presidentin Meta, kryeministrin Rama, kreun e PD Lulzim Basha dhe drejtuesit e Vetting”, thuhet në statusin e Sorecas.
Por kjo vizitë nuk do të lidhet vetëm me procesin e zgjerimit por edhe me Planin Ekonomik dhe të Investimeve të Komisionit Evropian që pritet të publikohet sot.
Përsa i përket zgjerimit, komisioni pritet të japë një rekomandim pozitiv për Shqipërinë në lidhje me konferencës ndërqeveritare, por vendimi final u takon vendeve anëtare të BE që do të mblidhen në dhjetor.
Sipas konkluzioneve të këshillit në marsin e këtij viti, para konferencës së parë ndërqeveritare Shqipëria duhet; miratojë reformën zgjedhore sipas rekomandimeve të OSBE-ODIHRIT, duhet të ketë një Gjykatë Kushtetuese dhe një Gjykatë të lartë funksionale dhe të përfundojë ngritjen e organeve që do të luftojnë krimin e organizuar e korrupsionin.



