Kuvendi i Shqipërisë prodhoi të premten një dokument zyrtar ku nderon mes figurave kombëtare edhe diktatorin Enver Hoxha. Kreu i Kuvendit Niko Peleshi në fjalën e mbajtur sot shprehu një keqardhje dhe ndjesë për keqkuptimin e krijuar nga materiali i dalë nga Biblioteka e Kuvendit.
Ai thekson se materiali ishte thjesht informativ dhe nuk kishte synim të vlerësonte Enver Hoxhën, megjithatë shtoi se për të adresuar situatën i ka kërkuar Institutit Parlamentar një rishikim të plotë të procedurave të brendshme të Bibliotekës së Kuvendit.
“E ndiej për detyrim t’ju informoj dhe të ndaj me ju një qëndrim lidhur me shqetësimin e ndarë ditët e fundit lidhur me një material informativ, i përgatitur nga Biblioteka e Kuvendit, i cili përmend figura historike të lindura në muajin tetor, përfshirë edhe Enver Hoxhën. Kam vlerësuar me shumë seriozitet edhe kërkesat për qëndrim ndaj Institutit Parlamentar të Kuvendit dhe marrjen e masave ndaj transparencës së shërbimit të botimeve dhe Bibliotekës Parlamentare, adresuar te unë nga z.Belind Këlliçi dhe znj.Greta Bardeli. Në emër të Kuvendit dua të shpreh keqardhjen dhe ndjesën, për keqkuptimin dhe perceptimin e krijuar, pavarësisht qëllimisht thjesht informativ të materialit, pa pasur aspak synimit të vlerësojë ndonjë figurë të veçantë, aq më tepër Enver Hoxhën, që është përmendur vetëm për datën e lindjes. Për të adresuar situatën dhe për të parandaluar keqkuptime të mëtejshme, i kam kërkuar Institutit Parlamentar një rishikim të plotë të procedurave të brendshme të Bibliotekës së Kuvendit, që materialet e ardhshme të shmangin çdo keqinterpretim”.



