
Besimtarët myslimanë, kremtojnë sot Kurban Bajramin. Ceremonia nisi herët në mëngjes, ku, ndryshe nga një vit më parë, qindra besimtarë myslimanë falën namazin në Sheshin Skënderbej dhe dhjetëra të tjerë festojnë dhe kryejnë faljet në çdo qytet të vendit.Pas faljes, besimtarët e pranishëm shkëmbyen mesazhe të shumta urimi ndërmjet tyre.
Nga Sheshi 'Skënderbej', ku u mblodhën me qindra besimtarë për faljen e namazit, Kryetari i Komunitetit Mysliman, Bujar Spahiu kërkoi më shumë dashuri e harmoni mes njerëzve.
Ai e vuri theksin te familja, si bërthama e shoqërisë, ku tha se duhet të kthehet vëmendja dhe të ketë reflektim, ndërsa kërkoi më shumë dashuri e harmoni mes njerëzve.
Të dashur motra dhe vëllezër, sot jemi mbledhur për të festuar Kurban Bajramin, festa që simbolizon dashurinë e njeriut ndaj Zotit të Gjithësisë. Kjo festë mbart kuptim dhe vlera të larta. Festat në Islam nuk janë festa konsumi, janë adhurim dhe gëzim njëkohësisht, Kurban Bajrami është festa që na kujton se sa e lartë duhet të jetë devocioni i njeriut ndaj Krijuesit të gjithësisë. Jeta e njeriut është një rrugë kalim nga kjo botë për në botën e përtejme. Në shoqërinë e sotme moderne, jeta është shumë e vrullshëm, ngut për të arritur gjëra materiale edhe pse e dimë që ato nuk do i mbeten askujt. Dua të sjellë në vëmendje lënien në harresë të familjes, ditë si kjo e sotmja duhet të shërbejnë për të reflektuar. Ne shohim se si rastet te dhunës në familje rriten, kjo është e papranueshme, fjala divorc po kthehet në diçka normale për çiftet. Shqetësuese është sjellja ndaj prindërve. Mos i lini vetëm, kujdesuni për ta. Këto fenomene janë kambanë alarmi të asaj që po vjen, ne e kemi detyrim ta ndalim atë, nuk ka rrugë tjetër përveç kthimit të vëmendjes te familja. Ne duhet ta ruajmë me fanatizëm familjen. Familja është bërthama e shoqërisë njerëzore. Ushqeni dashuri ndaj njëri-tjetrit, t'i lutemi Zotit të na udhëzojë në rrugën e drejtë", tha ai.
Kurban Bajrami festohet sot në gjithë vendin, ku në mëngjes herët, në qytetet kryesore besimtarët u falen duke iu drejtuar Zotit me lutje për më shumë paqe dhe harmoni.
Kurban Bajrami është një festë e rëndësishme për të gjithë botën islame. Kjo festë simbolizon sakrificën dhe mëshirën e madhe për afrimin me zotin.



