Avokati Përparim Çaça duke komentuar zhvillimet e fundit në Bashkinë Tiranë tha në edicionin e lajmeve në MCN TV se tanimë Edi Rama është kryetari “de facto” i bashkisë dhe Veliaj s’ka më asnjë lloj pushteti.
Ai vë në dukje se ndonëse delegimet e Veliajt janë të ligjshme, ato janë të pavlefshme, duke marrë parasysh faktin që ai është në pamundësi objektive për ushtrimin e funksionit.
“Është një situatë paradoksale, jo vetëm me veprimet e z.Veliaj, por edhe personit që përfaqëson z.Veliaj, ajo që ka ndodhur edhe sot me këto dy shkarkime flagrante. Është e vërtetë që z.Veliaj është akoma në mandat. Nuk jemi përpara përfundimit të mandatit, s’është i shkarkuar, dhe kemi situatë juridike të veçantë, ai është në pamundësi për të ushtruar funksionin e kryetarit të bashkisë. Delegimet që ai bën janë të ligjshme, por të pavlefshme, duke marrë parasysh situatën që ai është në pamundësi objektive për të ndjekur punët dhe ushtruar funksionin. S’ka informacionin e duhur, s’ka mundësi t’i monitorojë".
Çaça tha se Veliaj duhet të tregohet i përgjegjshëm dhe të japë dorëheqjen. Po ashtu ai sheh si zgjedhje të mundshme një mbledhje nga Këshilli Bashkiak për caktimin me votë të njërit nga nënkryetarët.
“Që ka konflikt mes palëve, kjo është evidente. Përfundimisht me veprimin e fundit të z.Veliaj, kemi de facto një kryetar të ri të bashkisë, që ushtron detyrat e kryetarit të bashkisë, që është kryeministri. Në mënyrë absolute Veliaj s’ka asnjë lloj pushteti. Nëse do kishim një shkarkim dhe në heshtje pala tjetër s’do ankimonte, çështja është e zgjidhur dhe do shkonim në zgjedhje të reja. Por s’është kështu, ka një konflikt".
I pyetur si ka firmosur kryebashkiaku Veliaj nga paraburgimi i Durrësit, Çaça:
“Shkon një punonjës i bashkisë, i dërgon letrat pa numër protokolli dhe vulë. Shkohet në institucion, vendoset numër protokolli dhe vuloset. Zgjidhja e vetme në këtë situatë paradoksale është që Këshilli Bashkiak të mblidhet dhe të caktojë me votë një nga nënkryetarët, pasi vendi është vakant”.



