Fill pas takimit që krerët e partive të vogla, përkatësisht aleatët e Partisë Demokratike, mbajtën sot me ambasadorin e Bashkimit Evropian në Shqipër, Luigi Soreca, ata janë shprehur pozitivisht për një kërkesë të përbashkët te Presidenti Ilir Meta.
Një takim i mbajtur mes Fatmir Mediut, Dashamir Shehit, Vangjel Dules, Agron Dukës, Nard Ndokës dhe kryediplomatit të BE-së, mesa duket ka ndryshuar shumë nga qëndrimi i tyre për të mos lejuar mbajtjen e zgjedhjeve. Aleatët pas takimit thanë se kanë vendosur t'i kërkojnë presidentit Ilir Meta të ndërhyjë për zgjidhjen e kësaj krize, duke ulur në një tryezë mazhorancën dhe opozitën.
Fatmir Mediu u shpreh se do t’i kërkojnë një takim kreut të shtetit, Ilir Meta. Sipas tij, Meta duhet të thërrasë një tryezë diskutimi ku të marrin pjesë opozita dhe mazhoranca.
"Ne do ti kërkojmë Presidentit të Republikës që të thërrasë një tryezë të pozitës dhe opozitës për të zgjidhur këtë situatë për të garantuar zgjedhje të lira dhe të ndershme.Çdo gjë tjetër do të ishte shkatërruese për vendin. Soreca dhe të gjithë janë në mbështetje të dialogut" , tha Mediu.
Mediu tha se garantimi i një procesi zgjedhor të lirë dhe të ndershëm dhe përfshirja e të gjithë forcave politike në garë është e vetmja zgjidhje për të tejkaluar këtë situatë.
"Të arrijmë të garantojmë zgjedhje të lira dhe të ndershme dhe përfaqësimin e të gjithë subjekteve politike. Çdo lojë tjetër do të ishte shkatërruese për vendin dhe në këtë moment ne si forca politike mendojmë se është përgjegjësia jonë që të negociojmë me të gjitha palët dhe institucionet që duhet ta mundësojnë këtë dialog. Kështu kemi vepruar me OSBE, i kërkuam ambasadorit Soreca dhe jemi vlerësues që ai pranoi të diskutojë me ne dhe të shikojmë një hapësirë për të mbështetur një dialog të vlefshëm për interesat e vendit”, u shpreh Mediu.
Një deklaratë të tillë e përkrahu edhe kreu i PBDNJ-së, Vangjel Dule:
"Grupimi i partive të qendrës së djathtë kanë nisur një aktivitet që është një vlerë e shtuar në aksionin e përbashkët opozitar siç u nënshkrua para dy ditësh me PD. Boshti kryesor është shërbimi i axhendës opozitare që ka për synim që përfundimisht në vendin tonë të shkulet rrënja e së keqes që ka sjellë cikle të njëpasnjëshme krizash politike dhe për rrjedhojë edhe ekonomikedhe shoqërore. Jemi të vendosur që me të gjitha mjetet dhe mënyrat që na imponon demokracia të aktivizojmë çdo qelizë të shoqërisë por në të njëjtën kohë të sensibilizojmë të gjithë partnerët tanë ndërkombëtarë me qëllim që zgjidhja të vijë sa më shpejt dhe me sa më pak kosto. Përvojat e hidhura të së shkuarës. 2017 nuk është shumë larg, duhet të na bëjnë të gjithë më të mençur, më të matur dhe të urtë, sidmos mazhorancën dhe kryeministrin që nuk janë ndërgjergjësuar ende për krucialitetin e situatës politike në vend dhe sillen me një arrogancë, prepotencë dhe mentalitet cubi” , tha Dule.
Takimi i partive të vogla me Sorecën vjen pas firmosje së marrëveshjes me dhjetë pika me Partinë Demokratike, për të mos lejuar më që, sipas tyre, në vend të mbahen zgjedhje farsë.



