Kompozitori dhe producenti i njohur nga Kosova, Florent Boshnjaku, ka ndarë më shikuesit e programit të mëngjesit, përvojat dhe rrugëtimin e tij në karrierën artistike që ka zgjatur më shumë se pesë dekada.
Në këtë rrëfim për “Zgjohu me MCN”, Boshnjaku ka theksuar fillimet e karrierës së tij në kohën e ish-Jugosllavisë, kur artistët shqiptarë ishin të censuruar, dhe vështirësitë e krijimit në kushte të tilla.
Ai ka shpjeguar se në Kosovë, ku liria e shprehjes dhe e krijimtarisë ishte shumë e kufizuar, ata u munduan të sillnin materiale dhe muzikë që ka mbetur e njohur edhe sot.
Ne në Kosovë, siç dihet e kemi pasur të cunguar lirinë e shprehjes dhe te krijimtarisë artistike. Më vjen keq që ajo gjeneratë e jona është përballur me atë regjim dhe krahas asaj jemi munduar te sjellim materiale dhe muzikë që ka ngelur ndër vite.
Më pas në vitin 1993 kur kam ardhur për herë të parë në Shqipëri kam krijuar edhe miqësinë dhe bashkëpunimet e para me artistët këtu.
Më pas kemi marrë pjese në disa bashkëpunime në festivalet e këngës në Shqipëri kur edhe janë hapur kufijtë për ne.
Unë kam pasur një karrierë të gjatë artistike, duke qenë si i ri pjesëmarrës në të gjitha festivalet e ish-Jugosllavisë, në vitet ’70. Më pas në mes të viteve ’80-ta, kemi krijuar bendin e parë në RTK, në fund të viteve ’80 pasojnë incizimet e ndryshme me grupet e njohura muzikore, si grupi ‘Ilirët’, ‘TNT’.
Në vitet e 90-ta, kam vazhduar me krijimtarinë time muzikore, ku veçmas në vitet e arta 93-43’, kam qenë kompozitori i albumeve të këngëtarëve më të njohur në Kosovë dhe në vitet 2000, drejtori artistik ne disa festivale.
Tash në fundi kam në dorë projektin më të ri, një konkurs “Rockeet music” që do të ftoj në konkurrim te rinjtë e muzikës rok.
Një nga momentet më të rëndësishme të karrierës së tij ai shënjon krijimin e këngës “Suus”, e cila, me interpretimin e Rona Nishliut, e solli Shqipërinë në një nga vendet më të larta të Eurovizionit 2012.
Krahas këngëve që krijojnë artistet me vlerë, “Suus” mbetet kënga e pëlqyer nga të gjithë.
Që në fillim kur kemi çuar këngën për konkurrim, i kam shkruajtur mikut tim, Shpëtim Saraqi, që donim ta sjellin në atë formë që donin, dhe ishte normalë që dikujt do i pëlqej e dikujt, jo.
Unë gjithmonë them, se pavarësisht fitores apo jo, fitorja për mua është thjesht numër, fuqia e krijimtarisë dhe këngës mbetet. Kjo më bën më të lumtur se numri.
Atë këngë vazhdojnë ta dëgjojnë të gjithë dhe ta këndojnë në tërë botën, dhe kjo për mua është arritja dhe përmbushja më e madhe e një artisti.



