Tare: Turizmi masiv, dëm i pariparueshëm për Shqipërinë. S’kanë rëndësi numrat, por vlera që vendi nxjerr!

Tare: Turizmi masiv, dëm i pariparueshëm për Shqipërinë. S’kanë rëndësi numrat, por vlera që vendi nxjerr!

Studiuesi Auron Tare duke folur në edicionin e lajmeve në MCN TV kritikoi modelin e turizmit masiv që po inkurajohet në Shqipëri. Tare tha se po dëmtohen plazhet, zonat e mbrojtura, dhe Parku Kombëtar i Butrintit, nga ky fluks turistësh, për të cilin Shqipëria s’është e përgatitur. Tare tha se nuk kanë rëndësi numrat por produkti dhe vlera që nxjerr nga aktiviteti turistik. 
 

“Maldivet e Europës është një non sens, është një shpikje shqiptare. Unë thashë që Ksamili është model tipik për Shqipërinë, ku përballë sheh një natyrë të mrekullueshme të bërë nga zoti, dhe përballë sheh një xhungël betoni dhe një turizëm që s’ka asnjë kategori ku mund ta fusim për ta përshkruar. Ky model është inkurajuar nga shtypi ndërkombëtar. Vet shqiptarët kur shkojnë në atë vet, shohin që ka një problem të madh, nga radhët e gjata, parkimi, plazhet publike që s’ekzistojnë më, ujërat e zeza, etj., dhe presioni i madh ka bërë që zhvilluesit të shkatërrojnë zonën e mbrojtur.  Të gjithë ministrat e turizmit në fund të vitit gjithmonë krenohen se kanë sjellë më shumë turistë se paraardhësit. Njerëzit e fushës së turizmit thonë që  numrat s’kanë rëndësi por produkti turistik dhe vlera që vendi nxjerr. Po lexoja një artikull në Monitor, që të ardhurat janë pak a shumë si të vitit 2019. Kemi të bëjmë me një turizëm masiv. Në Jug ka dalë një batutë se italianët po kërkojnë kredi për t’u kthyer, sepse me lekët që kishin ardhur nuk kthehen dot”, u shpreh ai. 

Sipas Tares Shqipëria nuk duhet të bëjë të njëjtat gabime si Greqia dhe Spanja, por të ndjekë modele të vendeve të tjera, të tilla si Kosta Rika. Tare tha se infrastruktura s’mund të përballojë dot këtë fluks, ata që po e inkurajojnë po i bëjnë një dëm të madh turizmit shqiptar.

“Ajo që e bën më të rëndë është se po futen në Butrinit. Duket qartë që s’ka kontroll në administrimin e territorit. Turizmi masiv shtron presionin ndaj peizazheve historike, dhe kulturës lokale. Kultura lokale ka ndryshuar, para 10-15 viteve kishte një lloj norme të qytetarëve, sot ke turistë që dalin me brekë nëpër qytet. Ekonomia lokale po zhvillohet në dy mënyra, ekonomia për vendasit që s’mund të blejnë një kile fiq, edhe ekonomia për të huajit që u jepet një çmim i rritur. Fenomene të tilla tregojnë që Shqipëria është e papërgatitur për një fluks kaq të lartë. Është gabim rendja pas shifrave, është e rëndësishme të rendësh pas cilësisë. Magjia e Jugut ka humbur. Është bërë një varrezë betoni që pas disa vitesh do t’i kthehet vendit kundër, sepse njerëzit do largohen drejt destinacioneve të tjera të lira. Duhet të kishim nxjerrë mësime nga gabimet e fqinjëve tanë. Në Korfuz, autoritetet greke po mundohen t’i reduktojnë godinat e mëdha. Te ne vija bregdetare po shpartallohet në mënyrë të suksesshme. Po gërmohet me skavator për të hapur plazhe të reja. Dëmtimi është i pariparueshëm. Shqipëria s’ka shkolla shërbimi, nuk kanë një minimum trajnimi për shërbim, gjuhët e huaja, taksitë. Infrastruktura s’mund të përballojë dot këtë fluks, ata që po e inkurajojnë po i bëjnë një dëm të madh turizmit shqiptar. Para dy muajsh isha në Kosta Rika, ishte një vend i varfër me çmime të larta, me një fluks jo të madh, të gjitha ndërtimet ishin nën pyll. Një turizëm i fokusuar të ambienti, ekologjia. Ky është një model shumë i mirë, ku e ka ruajtur peizazhin dhe sjellë njerëz që kanë mundësi të shpenzojnë nga 70-250 euro nata. Përgjithësisht në punët e turizmit vendosin njerëz që s’marrin vesh. Shikoni çfarë po ndodh në Butrint, ku rritja e madhe e vizitorëve, ka filluar po dëmton, ka presion ndaj monumentit. Sa herë që shkoj shoh tulla të lëvizura, njerëz që hipin nëpër monumente, një vrull i pakontrolluar. E gjitha kjo do dëmtojë shumë në të ardhmen imazhin e turizmit shqiptar”, vijoi Tare. 

MCN Radio logo
MCN Radio
103.1 FM
Drupal Ad
Drupal Ad
MCN Radio logo
MCN Radio
103.1 FM
Radio
Intro

MCN TV është një televizion gjeneralist, i cili përfshin emisione, seriale, filma, dokumentarë etj. Ky televizion ka në dispozicion të tij katër studio televizive të pajisura me teknologjinë bashkëkohore.

Kategoritë
Streaming

MCN TV

MCN Radio

Contact

info@mcn.tv.al

+355 422 00200

All rights reserved. MCN 2025

Terms and ConditionsPrivacy Policy