
Zëvendëskryeredaktorja e MCN TV, Klementina Cenkollari komentoi nga studio e lajmeve procesin zgjedhor. Sipas Cenkollarit pjesëmarrja e deritanishme e cila deri më tani shënon më shumë se 20% (më shumë se gjysma e totalit të zgjedhjeve të kaluara) tregon kënaqësinë ose pakënaqësinë e qytetarëve për qeverisjen 8-vjeçare të kryeministrit Edi Rama. Ajo po ashtu shtoi se Vlora është surprizë për pjesëmarrjen e ulët në votime pavarësisht figurave politike që janë prezentë aty.
“Heshtja zgjedhore ka bërë mirë. Kemi dëgjuar Metën që ndryshe nga deklaratat e forta ka folur me tone të ulëta, e dëgjuam të thotë se kjo është festë e ditës së demokracisë. Edhe aktorë të tjerë politikë kanë dhënë mesazhe të rëndësishme dhe me ndikim. Shqiptarët duhet të jenë të lërë të zgjedhin të lirë. Pjesëmarrja 20% është më shumë se gjysma e totalit të zgjedhjeve të kaluara. Ndoshta dhe fakti që kemi një qeverisje prej dy mandatesh dhe njerëzit që duan të tregojnë kënaqësinë ose pakënaqësinë e qeverisjes Rama. Vlora është surprizë për pjesëmarrjen e ulët në votime pavarësisht figurave politike që janë prezentë. Në Elbasan pavarësisht ngjarjes së disa ditëve më parë qytetarët kanë shprehur vullnetin e tyre”, tha Cenkollari.



