Kryeministri Edi Rama dhe kryetari i Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj, kanë inauguruar sot nisjen e punimeve për Bulevardin e Ri të Tiranës. Rama dhe Veliaj kanë vendosur në mënyrë simbolike pllakën e parë të bulevardit të ri të kryeqytetit.
Gjatë fjalës së tij, kryeministri Rama tha se vota e shqiptarëve bëri të mundur që Tirana të bëhej me bulevard të ri dhe shesh të ri.
“Tirana mund ta kishte pasur këtë bulevard sot. Mund të mos ishte në vitin 2017 një kryeqytet që ende nuk ka mishëruar një vizion të 87 viteve më parë, kur dy arkitektë italianë të thirrur nga mbreti Zog projektuan këtë segment unikal. Për shkak të votës, gjërat nuk shkuan ashtu siç duhej dhe Tirana humbi vite dhe u tërhoq zvarrë. Sërish për shkak të votës, Tirana sot është vënë në lëvizje me një shpejtësi që nuk e ka pasur asnjëherë. Falë votës në drejtimin e duhur, Tirana do të ketë bulevardin e ri dhe sheshin e vet. Jemi i vetmi kryeqytet pa shesh në Europë. Me votën njerëzit vendosën shumë më tepër se ajo që duket në pamje të parë”, tha ai .



