
Ish-ministri i Mjedisit, Lefter Koka do të rikthehet në burg, pasi Apeli i Gjykatës së Posaçme vendosi ekzekutimin e pjesës së mbetur të dënimit për çështjen e inceneratorit të Tiranës.
Ish-ministrit i kanë mbetur për të vuajtur edhe 6 muaj heqje lirie.
Në prill të vitit të kaluar, Gjykata e Posaçme dha vendimin për dosjen e inceneratorit të Tiranës, duke dënuar me një total prej 15.6 vitesh burg 7 nga të pandehurit, ndërkohë që SPAK kishte kërkuar 26 vite burg në total.
Për Lefter Koka, Prokuroria e Posaçme kërkoi 4 vite burg, ndërsa gjykata vendosi dënimin me 3 vite heqje lirie.
Për shkak të gjykimit të shkurtuar, dënimi iu ul në 2 vite, periudhë e cila u konsiderua e kryer përmes kohës së kaluar në paraburgim.
Njoftimi i plotë
Gjykata e Posaçme e Apelit për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar, me trup gjykues të përbërë nga gjyqtarët Iliriana Olldashi (kryesuese), Nertina Kosova (anëtare) dhe Daniela Shirka (anëtare), sot më 14.05.2026, shpalli vendimin mbi çështjen penale nr. 6/71 akti, datë 14.11.2025 regjistrimi, mbi ankimin e të pandehurve T.T, L.K, S.K, B.K, E.M dhe ankimin e Prokurorisë së Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar, ndaj vendimit nr. 30, datë 16.04.2025, të Gjykatës së Posaçme të Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar. Në përfundim, Gjykata e Posaçme e Apelit për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar vendosi:
- Lënien në fuqi të vendimit nr. 30, datë 16.04.2025 të Gjykatës së Posaçme të Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar, për të pandehurit B.K, E.M, T.T, S.K.
- Lënien në fuqi të vendimit nr. 30, datë 16.04.2025 të Gjykatës së Posaçme të Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar, për të pandehurin L.K për pikat “1”, “2”, dhe “4” të dispozitivit të vendimit.
- Ndryshimin e vendimit nr. 30, datë 16.04.2025 të Gjykatës së Posaçme të Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar, për të pandehurin L.K, duke hequr pikën “3” të dispozitivit të këtij vendimi që ka disponuar “Për shuarjen e masës së sigurimit “arrest në burg””, caktuar ndaj të pandehurit L.K me vendimin nr. 134, datë 07.12.2023 të Gjykatës së Posaçme të Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar.
- Ndryshimin e vendimit nr.30, datë 16.04.2025 të Gjykatës së Posaçme të Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar për të pandehurin J.Ll si vijon:
- Deklarimin fajtor të të pandehurit J.Ll për kryerjen e veprës penale “Shpërdorimi i detyrës” në bashkëpunim, parashikuar nga nenet 248 dhe 25 të Kodit Penal dhe dënimin e tij me 1 (një) vit burgim. - Në aplikim të nenit 406/1 të Kodit të Procedurës Penale dënimin përfundimisht të të pandehurit J.Ll me 8 (tetë) muaj burgim.



