Kryedemokrati Sali Berisha deklaron se reagimi ndaj protestuesve opozitarë një ditë më parë dëshmon se Edi Rama është i pashpresë.
Në një komunikim për mediat ditën e sotme, ai deklaroi se u ndaluan 25 vetë, nga të cilët 17-ve u kanë komunikuar masën e arrestit, pa asnjë fakt.
Sipas tij, Edi Rama është një hakmarrës primitiv, i cili për t’i shpëtuar ligjit nga miliardat që ka vjedhur, është i gatshëm të kryejë çdo veprim vetëm e vetëm t’i shpëtojë ligjin.
Berisha shtoi se i tmerruar nga qëndrueshmëria e protestuesve, Edi Rama kishte përgatitur skenarin e gjakderdhje dhe e ekzekutimin e protestuesve paqësorë në shesh.
Ai kishte vënë në komandë, në krye të banditëve me uniformë, kriminelin famëzi Sokol Bizhga, njeriun që dorëzoi tek bandat oficerin e policisë Gjergj Mehmeti që ndodhej në makinë me të. Dhe ky shpëtoi, kurse atë e dogjën të gjallë banditët në rrugën Sarandë-Gjirokastër. Gjergj Mehmeti u tradhtua nga një i pabesë që meriton të gjitha dënimet për tradhtinë e tij. Dhe ky kriminel është sot në pozitat më të larta në policinë e Edi Ramës.
Ky urdhëroi snajperët të qëllojnë katër protestues, të cilët në mënyrë absolute nuk po kryenin asnjë veprim ndaj policëve të rendit. Jo. Ilir Tusha, protestues i vazhdueshëm në protestat tona, po filmonte, në një kohë kur e godasin snajperët në ballë. Goditja me plumba gome në kokë provohet në të shumtën e rasteve vdekjeprurëse.
Tjetër, Luan Lleshi i goditur edhe ai pa asnjë motiv. Demë Dollapi, i goditur edhe ai në kokë. Me plagë. Dhe një zonjë. Pra, janë katër protestues të plagosur, të qëlluar tre prej tyre në kokë, me qëllim eliminimin fizik të tyre.



