Policia ka arrestuar dy persona që shfrytëzonin për prostitucion një 26-vjeçare nga Berati, në kuadër të operacionit të koduar “Last night”, të zhvilluar në Gjirokastër.

Operacioni u zhvillua nga specialistët për Hetimin e Trafiqeve të Paligjshme në DVP Gjirokastër, në bashkëpunim me Stacionin e Policisë Memaliaj dhe nën drejtimin e Prokurorisë, pas informacioneve të siguruara nga inteligjenca policore.
Të arrestuarit janë R. L., 27 vjeç, banues në Tiranë, dhe K. D., 31 vjeç, nga Grabjani i Divjakës, të cilët akuzohen për veprën penale “Shfrytëzimi i prostitucionit”, kryer në bashkëpunim.
Gjithashtu, janë proceduar penalisht dy shtetas të tjerë, H. I., 40 vjeç nga Tropoja, dhe R. N., 36 vjeç nga Libofsha e Fierit, për veprën penale “Moskallëzimi i krimit”, pasi kishin dijeni për këtë rast dhe nuk e kallëzuan. Si provë materiale, policia sekuestroi një shumë parash të dyshuar si e përfituar nga veprimtaria e paligjshme, si dhe 6 aparate celularë.
Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë së Gjirokastrës për veprime të mëtejshme.



