Eksperti i bujqësisë, Eduart Sharka, foli në edicionin e lajmeve mbi abuzimin e shpërndarjes së naftës pa akcizë duke u shprehur se ka pasur pabarazi dhe diskriminim nga qeveria. Po ashtu Sharaki rikujtoi që vitin e kaluar skema e naftës për fermerët kishte qëllime elektorale për zgjedhjet e 25 prillit.
Mund të ketë abuzim me cilësinë. Është shqetësim që e kemi dëgjuar këtu në Lushnje, ma kanë bërë prezentë disa fermerë. Vitin e kaluar u përdor skema e naftës për qëllime elektorale, sepse mënyra e shpërndarjes, dita e shpërndarjes, pa verifikuar, doli qartë që ishte për qëllime elektorale. Edhe këtë vit ka pasur një sjellje selektive të administratës shtetërore, sepse një pjesë të fermerëve i ka favorizuar, duke u krijuar lehtësira në dokumente. Dëgjova që u tha mund ta marrin të gjithë, absolutisht nuk është e vërtetë. Janë shpërndarë 6 mijë. Nesër në Parlament diskutohet ndryshimi për ligjin e bujqësisë të propozuar nga sindikata e fermerëve, ku propozimet me gjasë do rrëzohen edhe nesër. Brenda një shteti fondet publike t’i përfitojnë gjysma e fermerëve ndërkohë që të gjithë i kanë plotësuar kriteret, është unike, nuk ndodh në asnjë vend të rajonit dhe të botës. Propozimi ynë ishte që të sanksionohej në ligj që fondi t’i mbulonte të gjithë fermerët. Në janar nga buxheti i ri të merrnin ata fermerë që janë shpallur fitues. Është pabarazi dhe diskriminim i pastër i fermerëve. Nuk e di ku e gjejnë kurajon nëpunësit dhe ministrja që u thotë fermerëve që mbaroi fondi, si në kohën e komunizmit kur mbaronte kosi!”.
Duke u ndalur te protesta e fermerëve të qershive në Dvoran të Korçës, Sharka tha se Ministria e Bujqësisë nuk ka databazë dhe të dhëna mbi produktin që prodhohet dhe kërkesat e tregut.
Kërkesa është më e vogël nga oferta, sepse Ministria e Bujqësisë nuk ka asnjë databazë, asnjë të dhënë mbi produktin që prodhohet, që të përputhet me kërkesat e tregut. Një nga kërkesat për ligjin e ri është që të ngrihet një agjenci, që krijon databazë, me nevojat e tregut dhe orienton fermerët. Kjo shmang që produkti i fermerëve të shkojë dëm apo nën kosto. Pjesa tjetër zgjidhet duke krijuar ekonominë përpunuese. Marrim rastin e Maqedonisë së Veriut ku molla ishte mbi kërkesë, dhe fermerët e dërguan në fabrika të përpunimit, dhe pagesën 6 centë ua bënte shteti. Mjaftojnë dy ekonomistë dhe dy specialistë të marrin evidenca dhe të planifikojnë një shpërndarje. E kemi propozuar në ligjin që do rrëzohet nesër”.
Sa i takon ngordhjes së 4 mijë rosave në fshatin Mizë të Lushnjës, Sharka tha:
Ne kemi dëgjuar edhe për fermat në Durrës nuk është dhënë kompensimi. Është për të ardhur keq që për 13 ditë të mos shkojë shërbimi veterinar. Ne jemi në mëshirë të fatit, është për të ardhur keq”.



