
Një studim i kryer nga një ekip mjekësh kinezë ka zbuluar një lidhje mes stresit në moshë të hershme dhe sëmundjeve gastrointestinale.
Studimi i kryer nga Shkolla Kineze e Mjekësisë Kineze (SCM) në Universitetin e Hong-Kongut arriti në përfundimin se rritja jonormale e një proteine të quajtur Faktori i Rritjes së Nervit është një faktor kyç që lidh ngjarjet traumatike psikologjike që ndodhin në fëmijëri me zhvillimin e sindromit të zorrës së irrituar (IBS).
Kjo e fundit është një çrregullim i funksionit të zorrës që karakterizohet nga ndryshimi i regjimit të jashtëqitjes, dhimbje abdominale dhe fryrje. Edhe studime të tjera e kanë evidentuar ndikimin e stresit në moshë të hershme te sëmundjet gastrointestinal, por mekanizmat kanë mbetur të paqarta. Studimi ka rëndësi të veçantë, pasi Sindroma e Zorrës së Irrituar ka përhapje të madhe në të gjithë botën, veçanërisht në Hong-Kong dhe nuk i është gjetur kurë.
Ekipi i mjekëve zbuloi se Faktori i Rritjes së Nervit (NGF), një faktor neurotrofik i rëndësishëm për zhvillimin nervor në sistemin nervor, ishte në nivele të larta në zorrën e minjve, si pasojë e stresit në moshë të hershme, i shkaktuar nga ndarja nga nënat. Kjo shfaqte simptoma të ngjashme me SZI te minjtë.
Në mënyrë të veçantë, mjekët analizuan të dhënat klinike të pacientëve kinezë dhe zbuluan një korrelacion të dukshëm ndërmjet Faktorit të Rritjes së Nervit dhe serotoninës (hormoni i lumturisë) te pacientët me Sindromën e Zorrës së Irrituar.
Studimi provon edhe njëherë se përvojat e hidhura në moshë të hershme si mungesa e kujdesit prindëror ose abuzimi, mund të kenë pasoja të rënda shëndetësore gjatë gjithë jetës. Gjetjet e studimit janë botuar në revistën ndërkombëtare prestigjoze “Nature Communications”.



