
Korrupsioni në shqipëri, nuk ka prekur vetëm administratën publike, zyrtarët apo edhe funksionarët e drejtësisë. Ai është shtrirë edhe në temupillin e dijes, Universitete dhe botën akademike si dhe Shoqërinë Civile me Organizatat Jofitimprurëse.
Sipas të dhënave të SPAK për vitin 2025, korrupsioni është konstatuar kryesisht në disa sektorë të administratës publike:
Sistemi i drejtësisë, ku janë përfshirë prokurorë, gjyqtarë, oficerë të policisë gjyqësore dhe avokatë, të cilët në disa raste dyshohet se kanë kërkuar ose pranuar përfitime për të ndikuar në vendime procedurale apo masa sigurie.
Prokurimet publike, ku hetimet kanë zbuluar manipulim të procedurave nga faza e përgatitjes së dokumentacionit deri te ekzekutimi i kontratave, për të favorizuar operatorë të caktuar ekonomikë.
Administrata publike dhe pushteti vendor, ku zyrtarë dyshohet se kanë marrë përfitime monetare për të favorizuar procedura si legalizimet, tenderat apo vendime administrative.
Policia dhe kontrolli doganor, ku janë evidentuar raste korrupsioni për të shmangur kontrolle ose për të lehtësuar aktivitete të paligjshme.
Institucionet akademike, ku janë identifikuar skema që lidhen me përfitimin e fondeve kërkimore dhe manipulimin e procedurave të prokurimit për projekte universitare.
Si funksionojnë skemat e korrupsionit
Sipas hetimeve të SPAK, korrupsioni shpesh funksionon përmes manipulimit të procedurave ligjore dhe administrative. Në prokurimet publike, zyrtarët hartojnë specifikime teknike që favorizojnë kompani të caktuara, ndërsa ofertat e konkurrentëve skualifikohen ose vlerësohen negativisht në mënyrë të qëllimshme.
Në raste të tjera, përfitimet jepen për të shmangur kontrollet, për të ndryshuar vendime administrative ose për të ndikuar në proceset gjyqësore.
Përdorimi i kompanive si mbulesë
SPAK thekson se një nga format më të sofistikuara të korrupsionit lidhet me përdorimin e shoqërive tregtare si mbulesë për përfitime të paligjshme dhe për pastrim parash.
Skema funksionon përmes krijimit të kompanive me pronësi nominale, ku pronarët realë mbeten të fshehur. Këto kompani fitojnë kontrata publike dhe më pas fitimet shpërndahen përmes dividendëve, ndërmjetësve financiarë apo investimeve të strukturuara, duke e bërë të vështirë gjurmimin e fondeve.
Shtrirja e fenomenit
Sipas SPAK, korrupsioni nuk kufizohet vetëm në administratë apo sistemin e drejtësisë, por është evidentuar edhe në: pushtetin vendor dhe projektet infrastrukturore, proceset zgjedhore, ku janë identifikuar raste të blerjes së votës apo ofrimit të favoreve administrative, si edhe në sektorin akademik përmes projekteve kërkimore dhe fondeve publike.
Hetimet tregojnë se në disa raste përfitimet e paligjshme maskohen përmes organizatave jofitimprurëse, kompanive private, transaksioneve të sajuara dhe investimeve në pasuri të paluajtshme.
Sipas SPAK, këto skema tregojnë një model të organizuar korrupsioni që përfshin aktorë të ndryshëm publikë dhe privatë, duke përdorur mekanizma financiarë dhe administrativë për të fshehur përfitimet e paligjshme.



