Kontrolli i Lartë i Shtetit përmes një raporti evidenton se oficerët e sigurisë nëpër shkolla nuk i raportojnë konfliket, duke u vetcensuruar, pasi u bëhet presion nga eprorët për të mos prishur imazhin e shkollave.
Po ashtu në shkolla nuk kryhet kontroll fizik në çantat e nxënësve dhe nuk ka detektorë metali, ndërsa në shumë institucione arsimore s’ka oficerë sigurie. Një sondazh tregon që nxënësit raportojnë se në shkolla ka persona me armë dhe thikë, si dhe që konsumojnë e shesin droga.
Në një raportim për Mcn Live gazetari Arsen Rusta bën me dije se:
“Ky hetim administrativë për të verifikuar efiçencën e oficerëve të sigurisë nëpër shkolla, rezulton që jo vetëm në rastin e konfliktit të Mario Prelleshajt dhe Martin Canit, është jashtë shërbimit. Jo vetëm që s’ndodh kontrolli fizik i çantave dhe nxënësve, me argumentin që prishet imazhi i shkollave, oficerëve të sigurisë u kërkohet të mos raportojnë pranë Ministrisë së Arsimit incidentet që ndodhin. Kam një dokument zyrtar ku KLSH thotë që oficerët e sigurisë vetcensurohen për t’i raportuar këto incidente. Në raport ka edhe gjetje edhe më të rënda. Rezulojnë se oficerët s’e kryejnë detyrën, së pari duke mos lejuar prindërit në ambientet e brendshme të shkollave. Audituesit e KLSH ka gjetur që në shumë shkolla ka prani të personave që s’kanë lidhje me shkollën. Oficerët nuk kryejnë kontroll fizik, nuk ka detektorë metali në shumicën e shkollave. Mjaft shkolla s’kanë oficerë sigurie, duke e cilësuar një punë të padobishme dhe problematike. Askush s’pranon të jetë oficerë sigurie me një pagë 500 euro, me një mal me punë. Në një sondazh, nxënësit deklarojnë se në klasat e tyre kanë persona me armë, me thikë, që konsumojnë dhe shesin droga. Rezulton se bullizimi dhe konflikti fizik është mjaft i përhapur”.
Një vit më parë shkolla “Fan Noli” dhe mbarë opinioni publik u trondit, ku pas një konflikti me thika u vra i mituri Martin Cani.



