Anëtar i Komitetit Organizativ të Partisë së Lirisë, Petraq Milo, ndalet në prioritetin e partisë që përfaqëson në luftën kundër korrupsionit, duke thënë se aksioni i radhës nuk është vetëm për inceneratorët, por se është një koordinim kundër korrupsionit, dhe për këtë arsye ka një kanalizim.
Në një intervistë për MCN TV, ai deklaroi se dosjet e inceneratorëve janë depozituar në SPAK, për çdo korrupsion që do identifikohet si i tillë me materialet dhe dokumentet përkatëse do depozitohet.
Nuk mund të vazhdojmë të themi ç’është bërë përpara dhe të mos denoncojmë korrupsionin tani, janë vetë qytetarët që do gjykojnë si ka qeverisur qeveria aktuale.
Ndryshimi nuk është thjesht emri, ideja është që hapet partia, hapja e çdo formacioni politik është pozitive duke marrë pjesën më të mirë të shoqërisë, intelektuale, akademike, njerëzit që janë aktiv, do të thoja se ajo që kërkon dhe objektivi i saj është ndryshimi i situatës aktuale, nëse ka një sërë problematikash.
I pyetur lidhur me emërimin e Briseida Shehaj si koordinatore kundër korrupsionit dhe nëse është e besueshme pasi ka qenë pjesë e administratës së Edi Ramës, Milo deklaroi se çdo njeri ka një pozicion aktual dhe se ka qenë diçka para se të jetë çfarë është.
Personat që merren me një lëvizje të re, kanë qenë dhe janë dhe nuk mund të rëndohen nga një situatë e kaluar apo koalicion i kaluar ku ka përmbushur detyra të caktuara. Secili nga ne vjen nga një background.
Pyetjes së pse u bashkua me Partinë e Lirisë në një kohë që ka qenë këshilltar i Sali Berishës, ai tha se asnjë njeri nuk mund të ndahet nga e kaluara.
Më duket hipokrizi të themi që ne ndahemi nga e kaluara. Pse unë? Kam tre vite që punoj me zotin Meta si këshilltar i Presidentit, ka qenë bashkëpunim i frytshëm, mu kërkua që bashkëpunimi të vazhdoj me një lëvizje të re dhe pranova.
Është krijuar një lloj bindje në Shqipëri se me politikë duhet të merren disa dhe me teknikë disa. Kam tjetër bindje, në politikë njerëzit duhet të vijnë të përmbushur nga ana profesionale dhe mund të japin shumë në politikë.
Lidhur me një takim të mundshëm mes Ilir Metës dhe Sali Berishës, Milo deklaroi se duhet të ndodhë për sa kohë punojnë për të njëjtën kauzë e cila ka të bëjë me mos arritjet e qeverisjes prej 9 vitesh.
Çdo lloj opozite dhe kontributi do ishte i mirë dhe i frytshëm që të bashkohen. Në mënyrë që të ndryshojnë ca gjëra. Janë shumë gjëra që duhet të ndryshojnë, në radhë të parë fokusi te qytetarët që është larguar këto vite. Dy gjëra janë me rëndësi në politikë, e para punësimi dhe e dyta mirëqenia. Punësimi s’ka vend për të folur, nuk kemi arritje pozitive.
Përkundrazi përkeqësohet punësimi i moshave të reja, të cilët largohen. Mirëqenia është prioritet i dytë kryesor. Nuk kemi indeksim të pagave dhe rritje relative të pensioneve, por ka përkeqësim të këtyre treguesve për rënien e fuqisë blerëse. Në këto dy objektiva, duhet të ndryshojmë modelin e shpërndarjes së burimeve, pasi këto janë faktorë që janë çuar në polarizim të tejskajshëm të shoqërisë.
Duke u ndalur tek amnistia fiskale dhe fakti që shumë ekspertë kanë deklaruar se nëpërmjet saj do të pastrohen paratë e krimit, Milo deklaroi se qeveria rrezikon humbjen e kredibilitetit karshi taksapaguesve të ndershëm, qoftë person individ, apo biznes.
Vjen një moment dhe thua që do amnistoj gjithë individët apo bizneset që kanë qenë informale. Parimi i detyrimit dhe përfitimit duhet të jenë të barabartë. Bizneset që kanë paguar, kanë përfituar nga infrastruktura, ndërsa informali vetëm ka përfituar, nuk ka paguar. Prishet ekuilibri i balancës për të paguar detyrimin tatimor. Rreziku i parasë kriminale duke konsideruar gjithë personat që do amnistohem.
Në një kohë që kemi ligj për pastrimin e parave i cili detyron për shuma shumë herë më të vogla se kjo që të japësh burimin e të ardhurave. Rreziku është shumë i lartë që të amnistohen para kriminale.
Për sa kohë institucionet ndërkombëtare konstatojnë se Shqipëria ka disa hapa për të përmirësuar, si sistemi fiskal, politika e cila shpesh ka qenë klienteliste, e diferencuar, ka nxitur evazionin, informalitetin, jemi ekonomi informale, pastrimi i parave, ku jemi në zonën gri. Pa përmirësuar këto katër kushte nuk mund të realizosh amnisti fiskale.
Jemi në një marrëveshje me institucionet ndërkombëtare në lidhje me deklarimin e burimit të parave. Vjen një moment që formalizon dhe legalizon paratë, kur burimi është vendet e Bashkimit Europian. Këto janë problematikat kryesore që sjell ky problem i amnistisë fiskale.



